TIRANË

Analisti Fitim Zekthi ka komentuar në studion e News24, në rubrikën “Opinion” debatin për Gjykatën Kushtetuese dhe qëndrimet e palëve. Zekthi shpjegoi se në principet themelore të të drejtës kushtetuese ekziston ai që quhet parimi i luajalitetit kushtetues që do të thotë qeveria, parlamenti, partitë politike dhe gjykatat i njohin të drejtën secilit entitet që të ushtrojë ose të ketë kompetencat e tij në këtë sistem kushtetues. Ai tha se në Shqipëri janë prishur kolonat që mundësojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne po shkojmë në një luftë politikë thuajse ekstreme. Jo sot po prej shumë vitesh. Nuk mund të kemi kurrë institucione dhe gjykata të pavarura në qoftë se lufta politike do të jetë ekstreme se cili do ta dominojë gjykatën. Në principet themelore të shtetit të së drejtës, në principet themelore të të drejtës kushtetuese ekziston ai që quhet parimi i luajalitetit kushtetues që do të thotë qeveria, parlamenti, partitë politike dhe gjykatat i njohin të drejtën secilit entitet që të ushtrojë ose të ketë kompetencat e tij në këtë sistem kushtetues. Pra, qeveria në një vend që ka principe si i joni, pra që kërkon të ndërtojë një shtet ku shmanget tirania, diktatura, ku mbrohen të drejtat e njeriut, qeveria synon të mirën e sa më shumë njerëzve, synon një të mirë publike nuk kujdeset për të drejtat e individit. Qeveria ka në fokus të mirën e madhe, të mirën publike. Ndërsa gjykatat nuk kanë në fokus të mirën publike por kanë në fokus të drejtat dhe liritë e individit, si me thënë në mënyrë të natyrshme janë përballë qeverisë”, deklaroi Zekthi.

“Për këtë arsye,- shpjegoi ai,- sistemet demokratike ose sistemet si i joni, unë marr shembullin e Kushtetutës amerikane e kanë të shenjtë parimin e ndarjes së pushtetit ose parimin e kontrollit të kufizimit të pushtetit. Që do të thotë që kurrsesi qeveria nuk mund të jetë e pakufizuar, kurrsesi nuk mund të jetë e pakontrolluar dhe kurrsesi parlamenti nuk mund të jetë mbret dhe as gjykatat. Pra, secili nga tre pushtetet themelore kontrollojnë dhe balancojnë njeri-tjetrin. Këto janë gjëra elementare”.
“Gjykata Kushtetuese prandaj është ndërtuar 3 Presidenti, 3 parlamenti dhe 3 Gjykata e Lartë. Këta 3 të presidentit duhet t’i mbeten Presidentit. Në qoftë se do të prishet kjo lloj emërtese, ne kemi prishur kolonat që mundësojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret janë prishur të dyja, për turp dhe për faqe të zezë por edhe për fatkeqësinë e vendit tonë janë prishur të dyja. Ndërkohë që duhej bërë gjithçka nga kryeministri Rama, Presidenti Meta, nga kushdo që këto të dyja të mos prishen kurrë. Të respektohet radha dhe të mundësohej që Presidenti të emëronte 3 gjyqtarë, parlamenti të zgjidhte 3 gjyqtarë dhe Gjykata e Lartë të zgjidhte 3 gjyqtarë. Ka ndodhur që Presidenti ka zgjedhur njërin, parlamenti ka zgjedhur 2 ose 3 dhe është prishur radha. Çfarë thotë Kushtetuta e Shqipërisë? Kushtetuta e Shqipërisë thotë që zgjidhjet me radhë, pra një kandidat e zgjedh Presidenti, më pas një kandidat e zgjedh parlamenti, më pas një kandidat e zgjedh Gjykata e Lartë. Më pas rikthehet radha. Këto janë kolona, nuk janë detaje teknike, nuk janë burokraci konstitucionale, nuk janë burokraci të ligjit, janë kolona ku mbështet pavarësia e kësaj gjykate”, theksoi analisti.

Ai i cilësoi të turpshme veprimet e kreut të KED për listat e anëtarëve dërguar Presidentit dhe parlamentit.
“Ne duhet të duam diçka, banale, vendimtare që qeveria të mos jetë mbi gjithçka. Këtu ka ndodhur që kryetari i KED në mënyrë të turpshme paraqet të njëjtën listë edhe tek Presidenti edhe tek Parlamenti, ndërkohë që duhet të paraqesë dy lista. Kryetari i KED nuk ia paraqet në kohën e duhur parlamentit dhe Presidentit. Kryetari i KED nuk ndihmon që Presidenti të zgjedhë dy anëtarë, përkundrazi bën gjithçka që Presidenti të mos zgjedhë dy anëtarë. Kryetari i KED boton në mënyrë kur nuk ia kërkon ligji, në fletore zyrtare vendime të tijat. Nuk prisja që të mbërrinte deri këtu, nevoja gjigande e shumicës për kontrollin e Gjykatës Kushtetuese. Prisja që më në fund Gjykata Kushtetuese të mund të shndërrohej në diçka që të garantonte një lloj shprese për këtë vend”, u shpreh Zekthi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb