Dalja dyorëshe e kryeministrit Rama për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec, që pritej me interes nga opinioni publik, i la sërish pa përgjigje pyetjet thelbësore që kanë të bëjnë me transparencën e projektit prej 4 miliardë dollarësh, ku janë të përfshirë familja e presidentit Trump, investitorë arabë dhe partnerë lokalë.
Për një investim kaq të rëndësishëm, Rama duhej t’u përgjigjej së pari çështjes së pronësisë së tokës, nga e cila ka nisur kontestimi i banorëve të zonës që para dy vitesh; sjelljes së policisë gjatë protestës; si dhe nxjerrjes së Parkut Natyror të Lagunës së Nartës nga harta e zonave të mbrojtura. Në vend të përgjigjeve shteruese, kryeministri shkoi në Izrael, duke u marrë me një fotomontazh të rrjeteve sociale që nuk ka lidhje me kërkesat e vërteta të protestës.
Rama më tej zbriti në Greqi, nga ku aludoi se vjen zjarri i protestës, sipas tij, në emër të konkurrencës në turizëm. Tentoi të prekë kështu emocionet patriotike, siç bëri edhe me sulmin ndaj Fatos Lubonjës dhe Arlind Qorrit.
Kjo ishte një narrativë e qëllimshme, e fokusuar te populizmi, patriotizmi dhe armiku i jashtëm, duke heshtur apo relativizuar dritëhijet reale të projektit. Por le t’i marrim me radhë përgjigjet që Rama i shmangu.
Së pari, toka ku pritet të zhvillohet projekti nuk është siç tha kryeministri. Ajo është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura mes biznesmenit kontrovers Artur Shehu dhe personave të lidhur me të, nga njëra anë, dhe banorëve të zonës së Zvërnecit, nga ana tjetër, shumica e të cilëve jetojnë në Greqi. Ky është një fakt i njohur.
Problemi këtu nuk është vetëm i drejtësisë dhe i vendimeve të gjykatave, por edhe i vetë qeverisë së Ramës. Një qeveri që do të zhvillojë vërtet turizmin me investime të huaja elitare nuk mund të mos shohë problematikën e pronës ku do të zhvillohet investimi. Nuk mund të jetë dorëjashtë qeveria kur është ajo që jep lejen e zhvillimit mbi një sipërfaqe toke që është në gjykatë.
Ashtu siç nuk mund të fshihet duke thënë se janë marrëdhënie mes privatëve, duke qenë përgjegjëse për Hipotekën e Vlorës, nga ku kanë dalë certifikatat e kësaj prone dhe ku janë ndërruar 12 drejtorë brenda një viti. Shteti u del zot dokumenteve të tij, aq më tepër kur në këtë projekt janë përfshirë sipërmarrës me reputacion kaq të lartë. Sigurisht që do të duhej një siguri juridike edhe më e lartë.
Pyetja është: çfarë do të ndodhë nëse një nga gjyqet për pronën, që vijon prej vitesh, fitohet nga pretenduesit e saj?
Çfarë do të ndodhë nëse hetimi i SPAK-ut, i nisur prej disa kohësh mbi mënyrën e përfitimit të tokave në Zvërnec dhe i vijuar sot në Vlorë e Tiranë me kontrolle dhe sekuestrime dokumentesh te dy nga pronarët zyrtarë të tokës, arrin në përfundimin se ka pasur abuzime dhe falsifikime? Apo edhe SPAK-u është nxitur nga Greqia, që është bërë xheloze për investimin e dhëndrit të Trump?
E meqenëse jemi te Greqia, për të cilën Rama tha se ishte i habitur që Zvërneci qenka minoritet homogjen grek, e vërteta është më komplekse. Në Zvërnec, përveç katër apo pesë fiseve, mes tyre edhe Shehajve, shumica e familjeve të tjera kanë origjinë nga Greqia, siç ka ndodhur edhe me Nartën aty pranë.
Kjo shpjegon ardhjen e shumicës së protestuesve nga Greqia, ku ata kanë emigruar, si dhe mobilizimin e medias greke. Asnjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse banorët e Zvërnecit nuk do të ishin sot matanë gardhit me tela me gjemba të pronës së mohuar, por të pretenduar me tapitë e ligjit 7501.
Së dyti, Rama tha sot se zona e Zvërnecit është zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë, gjë që lejon bashkëjetesën e natyrës me zhvillimin turistik. Nëse kjo është e vërtetë, pse në shkurt të vitit 2024 kjo mazhorancë ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura duke lejuar ndërtimet?
E bëri këtë për pak minuta në Parlament, edhe pse Bashkimi Evropian e kundërshtoi dhe kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve, ndërsa opozita e çoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Së treti, sjellja e policisë ishte skandaloze dhe Rama ishte sot në një ofensivë propagandistike sipas motos: ne gabojmë, por reflektojmë.
E vërteta është se e gjithë policia e Vlorës atë ditë, në mos ishte e urdhëruar, ishte të paktën e vetëdijshme se ndodhej në Zvërnec për të mbrojtur kompaninë e ndërtimit dhe jo për të garantuar rendin sipas ligjit.
Nuk shpjegohen ndryshe skenat e turpshme të policëve që kthenin kokën nga ana tjetër kur një protestues merrej zvarrë pa bërë asgjë. A ishin të paaftë apo nuk e dinin çfarë po bënin? Po kur rojet e kompanisë u përfshinë në përplasje, nuk e kuptuan se duhej të reagonin?
Ky rast nuk ka të bëjë me shkarkimin e një drejtori apo me paaftësinë e policëve të thjeshtë, por me modelin se si dhënia dhe zbatimi i urdhrave të paligjshëm përbën sot modelin e shtetit dhe të administratës. Ndaj reagimi i qeverisë dhe i Ramës sot ishte sërish për të mbuluar skandalin e vërtetë të dhunës gjatë protestës.
Protesta e ka frikësuar mjaftueshëm Ramën për dy arsye: për rrezikun e largimit të dhëndrit të Trump nga Zvërneci pas trazirave dhe për mundësinë e zgjerimit të saj në një kohë kur arsye për të protestuar ka shumë. Siç u pa në tubimin e sotëm, pjesëmarrja ishte më e madhe dhe me të rinj e të reja.
Rama nuk i trembet as Fatos Lubonjës, as Arlind Qorrit e aq më pak ambientalistëve. Ata nuk mobilizojnë dot kaq njerëz.
Rama e di se protesta e vërtetë nuk ishte as e myslimanëve antisemitë, as e grekëve ziliqarë dhe as e komunistëve që duan ta ndërtojnë turizmin me forcat e veta. Asaj i janë bashkuar ambientalistë dhe aktivistë të majtë që dalin në shesh sa hërë flitet për investime të tilla, por rrallëherë me sukses. Sepse, në shumicë, shqiptarët janë pro investimeve të huaja elitare në turizëm. Rama i trembet protestës sepse e di që thelbi i saj është prona, e drejta e mohuar dhe dyshimet e arsyeshme se grabitja e pronës nuk bëhet pa qeverinë. Dhe jo vetëm në Zvërnec.
