Ideja e organizimit dje të një antimitingu të Partise socialiste ngjitur me protestesën anti-Rama përbënte tashme nje skandal më vete. Në forme, ajo inisiativë e shëmtuar i ngjante kryekeput metodave të njëjta të presidentit serb Vuçic i cili që prej dy vitesh është bërë mjeshtri ballkanik i anti-mitingjeve me fansat e tij për të thyer vrullin anti-regjim të studentëve serbë. Në formë, Rama ashtu si Vuçiç, dështoi dje. 24 orë më vonë pakkush kujtohet sot për atë anti-ceremoni ditëshkurter, edhe për faktin se shumë pjesmarrës socialistë atje, u shndërruan në harkun e një orë në protestues anti-Rama duke iu bashkuar kortezhit të gjatë të bulevardit. Skandali më i madh në atë që pamë dje te anti-mitingu i Ramës duhet kërkuar tek përmbajtja e fjalimit të këtij të fundit me një tezë që më shumë se të bën të vjellësh, të revolton për qëllimin e saj manipulues.

Rama tha dje dy të pavërteta që indinjojnë se ato maskojnë qëllimin e tij të fusë në sherr protestuesit me SHBA-të dhe Izraelin. Ja sulmi që Rama i bëri protestuesve në lidhje me SHBA-të: “Këtu fjala nuk është për Zvërnecin, këtu fjala nuk është për flamingot… këtu fjala është për Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Tani, kanë çfarë kanë të tjerët me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, nuk mund ta importojnë në Shqiperi”. Për të shpëtuar lëkurën, Rama nuk heziton të hedhë baltë mbi popullin e tij duke e paraqitur kështu protestën më shumë të motivuar kundra Amerikës së Trump se sa pro flamingos. Akuzë mjerane që thyhet si bukëpeshku tek muri i të vërtetës.

Të gjithë i admiruan pamjet madheshtore të flamujve amerikanë që shpalosen në Bulevard. Nëse ka vërtetë një person kundër të cilit ngrihet protesta, ai nuk është absolutisht Donald Trump, por Edi Rama.

Përkundrazi, presidenti i Shteteve të Bashkuara është në këtë moment aleati numër një i popullit shqiptar për t’ja hequr qafe një kryeministër mashtrues dhe kleptoman, ndërkohë që Europa naive dhe miope e shpërbleu së fundi këtë autokrat duke i dhënë me anë të Ibar-it note kaluese për Shtetin e të drejtës…

Por sulmet e Ramës ndaj protestës së shqiptarëve duke i paraqitur edhe si anti-izraelitë ishin edhe më skandaloze, biles të rrezikshme se fusin një pykë të padrejtë në reputacionin e shqiptarëve si populli më pro hebre në botë nisur nga sakrifica e tyre për hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Ja aludimet skandaloze që nxori Rama nga goja dje për ta bërë pis protestën: “Ç’lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Ç’lidhje ka marrëdhënia me shtetin e Izraelit në një investim ku dy investitorët kryesorë janë dy myslimanë? Apo se dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara është hebre. Po pastaj”?

Pyetja i rikthehet vetë Edi Ramës si bumerang në fytyrë: po ç’lidhje ka kjo lidhje e padenjë që ai bën midis protestës dhe Izraelit? Le të citojë Kryeministri një folës të vetëm në tribunën e protestës që ka bërë sulme verbale kundër Izraelit? Le të citojë ai një pankartë me aluzione të shëmtuara kundër Izraelit? Përkundrazi, një përfaqësues i bashkësisë myslimane të Shqipërisë i cili mori fjalën dje, foli për harmoni, paqe e mirëkuptim, pa lëshuar asnjë vrer si ato që Rama bën vetë duke ia mveshur tinëzisht protestuesve.

E vërteta është se jemi përballë një proteste masive dhe ekskluzive shqiptare përtej përrallave me iranianë dhe grekë, e drejtuar ekskluzivisht kundra një anti-shqiptari që quhet Edi Rama.

Çdo tentativë e këtij të fundit për të krijuar diversion dhe iluzion se shqiptarët s’e paskan me të por me Trump dhe Izraelin është e destinuar të dështojë dhe ta fundosë edhe më shumë Ramën në thellësitë e horroreve që nxjerr nga goja.

Sa më shpejt ta mbylli gjuhën e nëpërkës një herë e përgjithmonë politikisht, aq më shpejt do të çlirohet kombi shqiptar nga një e keqe që po e vuan, si në kohën e luftës së ftohtë, më shumë se çdo komb tjetër europian.

Sot është dita e 14 e protestës “Rama ik”. Tashmë një rekord europian!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb