Deputeti gjerman, Michael Roth, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të miratojë ndryshimet kushtetuese, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Roth, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, i ka bërë këto deklarata pas një vizite që ka realizuar më 31 gusht në Shkup. Ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të njihej si popull shtetformues, janë pjesë e dokumentit të njohur si “propozimi francez”.

Ky propozim i ka hapur rrugë fillimit formal të negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, në muajin korrik.

Çka përmban propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Megjithatë, ai është kundërshtuar nga opozita maqedonase, e cila ka thënë se minon shtetin maqedonas, dhe ka shkaktuar protesta e tensione. Nga Qeveria në Shkup nuk japin ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë procesi për ndryshimin e Kushtetutës, por kujtojnë se procesi i skriningut duhet të përfundojë deri në nëntor të vitit të ardhshëm.

Roth, ka thënë se ndryshimet kushtetuese nuk janë të lehta, por duhet të ndodhin me angazhimin e të gjitha subjekteve politike. “E di që nuk është e lehtë për shumëkënd kur bëhet fjalë për ato ndryshime kushtetuese, por secili duhet ta pyesë veten – jo si mund ta ndihmojë partinë time – por si mund ta ndihmojë dhe të kontribuojë për vendin tim”, ka thënë Roth pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski.

Ai ka siguruar qytetarët maqedonas se ndryshimi i kushtetutës dhe miratimi i propozimit francez nuk rrezikon identitetin e tyre kombëtar. “Kjo është arsyeja pse tani është shumë e rëndësishme që edhe një herë të theksohet dhe të bëhet e qartë se BE-ja nuk është vetëm një treg i brendshëm dhe një komunitet që ka një monedhë, por është një komunitet që ka diversitet kulturor dhe gjuhësor, dhe se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në identitetin kulturor. Asnjë marrëveshje nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë këtë pasi ky është parimi bazë mbi të cilin është ngritur BE-ja”, ka thënë mes tjerash ai.

Sipas tij, edhe “BE-ja ka obligim të jetë më e pranishme në Maqedoninë e Veriut, të jetë më e dukshme, të angazhohet më shumë, të ofrojë perspektivë për të rinjtë, veçanërisht në këto kohë të vështira kur mund të ndjejë zhgënjim dhe frustrim me BE-në”.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat e votave, apo me votat për të 80 prej 120 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Në një prononcim javën e kaluar, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se “është shumë e vështirë të arrihet shumica e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare”.

Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat në vitin 2005, por për nisjen e bisedimeve ka pritur 17 vjet për shkak të kontesteve të pazgjidhura me shtetet fqinje – fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit, e tani me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb