TIRANË- Ankesa e ish-deputetit Mark Frroku për dëgjimin në sallën e gjyqit ka bërë që të shtyhet një tjetër seancë ndaj tij, në Gjykatën e Tiranës. Me pretendimin se nuk arrinte të dëgjonte dëshmitarët në sallën e gjyqit, pasi kafazi i hekurit prapa së cilit qëndronin dëshmitarët është zëvendësuar me xham, Frroku i është drejtuar gjykatës me një kërkesë që të shtyhet gjyqi.

“Nuk arrij të dëgjoj dëshmitarët pasi vendqëndrimi i të pandehurve është i bllokuar me xham. Më hoqët nga kafazi më futët në akuarium”, ka thënë ai.

Sot do të dëshmonte në gjykatë dhe deputeti Doshi, por nuk u paraqit, pasi kishte dërguar një shkresë që ishte në komision parlamentar.

Mësohet se seanca për ish deputetin Mark Frroku shtyhet për në 20 shtator. Mbi ish-deputetin rëndojnë 4 akuza. Akuza e parë, ajo e vrasjes, i atribuohet për një ngjarje të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, ku pas një përleshjeje humbi jetën shtetasi Aleksandër Kurti. Rezulton që Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij ta kenë vrarë Kurtin për shkak të përplasjeve për kontrollin e prostitucionit. Akuza e dytë është ngritur pasi Froku nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij prej më shumë se 2 milionë dollarë. E treta ka të bëjë me një akumulim të pajustifikuar të të ardhurave nga ana e tij, i cili në vitin 2002 është dënuar nga autoritetet holandeze me 3 vjet burg për trafik droge.

Konkretisht ka rezultuar se nga viti 1998 deri në 2007, Frroku ka krijuar një pasuri prej 73 milionë lekë, ndërkohë që deri në vitin 2013 kur ka marrë mandatin e deputetit, pasuria e tij arrinte në mbi 209 milionë lekë, të siguruara nga burime të panjohura. Ndërsa akuza e katërt ka të bëjë me një ndërtim të Frrokut në rrugën e Durrësit, në kryeqytet. Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, të cilës po i shtohej një kat dhe një shtesë anësore. Nga hetimet ka rezultuar se, Frroku ka blerë disa prona të paluajtshme si truall, apartamente, njësi biznesi dhe garazhe nga shtetasi Tom Doshi, përmes një shume parash që arrijnë në 740 milionë lekë të reja. Në një nga këto hapësira ndodhej godina 4-katëshe ku deputeti po ndërtonte shtesat.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: