Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë sot në orën 10:00 punimet e asamblesë së zakonshme zgjedhore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Kjo mbledhje që do të mbajë federata është në kundërshtim të hapur me ligjin, sepse sipas një vendimi të gjykatës më datë 17 shkurt, kjo asamble është pezulluar dhe zhvillimi i saj është një absurditet i pastër nga FSHF.

Pritet që Armand Duka të propozojë shtyrjen e zgjedhjeve, ndërkohë që është i pezulluar nga gjykata dhe asambleja të vazhdojë me punimet e tjera të rendit të ditës që janë miratimi i pasqyrave financiare, por edhe miratimi për buxhetin e vitit 2022 dhe raportimet e aktiviteteve të FSHF-së.

VENDIMI I GJYKATËS

“Ju informoj se kërkesa me nr. 274 akti, e cila u gjykua nga gjyqtare znj. Fida Osmani me kërkues: Akademia Luftëtari dhe person të tretë: Federata Shqiptare e Futbollit, me objekt: marrjen e masës së sigurimit të padisë ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së palës kërkuese. Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:

1. Pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr. 1, datë 10.01.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;

2. Pezullimin e efekteve juridike të vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;

3. Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e asamblesë së përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Tiranë më datë 17.02.2022″, thuhet në vendimin e gjykatës. Kështu, FSHF do të mbajë një asamble të paligjshme duke arritur deri aty sa të sfidojë edhe një vendimgjykate. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: