Një antologji e poezisë bashkëkohore greke e përkthyer nga Sokol Çunga shqipëron poezinë e sotme helene që ngërthen në vargje kulturën, pasurinë tematike, stilistike e gjuhësore të autorëve matanë kufirit, mes tyre edhe shqiptarë në origjinë që kanë gjuhë të letërsisë atë greke. Antologjia bashkon breza në 120 poezi e më se 30 autorë.

“Një nga karakteristikat e poezisë bashkëkohore greke sot, është ajo që quhet dukuria e filotopisë. Janë të lidhura me vendin, udhëtojnë lehtësisht në kohë dhe paraqesin një peizazh të realitetit ku jetojnë poetët, me fate deri diku të ngjashme me shqiptarët, por që përpiqen të dalin matamë dhe të qëndrojnë mbi nivelin e fateve të tyre. Të qëndrojnë mbi nivelin e së shkuarës, të mos e ripërsërisin të shkuarën dhe traditën ta përdorin si një mësim të bukur, jo si ripërtypje.”, tha ai. Për Çungën, një prej poezive më të vështira për tu përkthyer ka qenë ajo e një autoreje me origjinë shqiptare që shkruan në gjuhën greke.

Këtu kemi disa poetë, por kemi disa autorë shqiptarë që janë integruar më së miri në fushën e letrave greke. Janë tre autorë që vijnë nga Shqipëria kanë një vendlindje të parë dhe një atdhe të dytë, që është bërë atdheu i tyre i tashëm dhe atdheu i tyre letrar.

Libri i botuar nga BERK, ndihmon jo vetëm për të kuptuar tjetrin si të ndryshëm e të ngjashëm njëherësh, por edhe për të shijuar një letërsi që ka se çfarë të mësojë përmes dashurisë, Zotit dhe zotave, besimit dhe mohimit e njëherësh historisë si pararendëse e shënjuesve e fateve tona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb