TIRANË- APPD ka përmbyllur sot në Kombinat fushatën për zgjedhjet e 21 Qershorit, ku kandidati Halim Kosova është shprehur i sigurt për fitoren e zgjedhjeve.

“Këtu më keni, nuk lëviz prej këtu…Edhe 4 ditë na ndajnë nga fitorja jonë e përbashkët. Ju keni një punë për të bërë, një detyrim, votën tuaj të dielën për familjet tuaja, për qytetin tonë. Pas kësaj vote nis puna ime për të justifikuar besimin tuaj, si 35 vite të karrierës sime profesionale. Modeli im jo i fjalës, por i punës dhe i fjalës së mbajtur. Puna do nisë që më 22 qershor e nuk do ndalet derisa të bëj realitet çdo premtim që kam dhënë”.

Kosova u shpreh se ai nuk i ndan qytetarët në të majtë apo të djathtë por beson se të gjithë ata kanë të drejtë të marrin shërbime më të mira.

“Kurrë nuk i kam ndarë qytetarët në të majtë apo të djathtë,për mua kanë qenë qytetarë që meritojnë të mira në të gjitha drejtimet. Zyra e kryebashkiakut nuk do jetë zyra e karrierës për tu katapultuar, për të vënë interesin personal mbi atë të Tiranës. Ti japim një mundësi më shumë qytetit, pastrim, ulje taksash, gjelbërim”.

Ndër premtimet e tij Kosova veçoi premtimin për ujë 24 orë në të gjithë Tiranën.

“Ulje me 30% e taksave, do ndihmojmë biznesin të dalë nga kriza, fondi i garancisë për bizneset e vogla do të trefishohet”.

“Stili im nuk është i ngatërruar, unë i mbikëqyr punët deri në detajet më të imta, nuk ka shans të pengohen shërbimet kah jush, do ndjekin interesat tuja. Nuk njoh ndërhyrje apo miqësi kur bëhet fjalë për punën”,-nënvizoi Kosova.

Kosova përsëriti edhe njëherë faktin se nuk është politikan tipik, por shtoi ai kjo është ajo që ka nevojë Tirana, për një njeri gjithpërfshirës dhe menaxher. Kandidati i djathtë u tha banorëve të Kombinatit se do të takohemi për të festuar fitoren, që sipas tij nuk ka sondazh që e zbeh.

“Unë nuk kam kohë, ju nuk keni kohë për të çuar dëm. Ne kemi tjetër vizion. Unë nuk jam politikan tipik, por mendoj se ka ardhur pikërisht koha për këtë, që të ju të keni një njeri gjithpërfshirës menaxher. Ju falënderoj për mbështetjen dhe energjitë. Shumë shpejt së bashku ne do të takohemi për të fituar fitoren më të madhe, të cilën nuk ka sondazh që e zbeh. Fitorja do të jetë e jashtëzakonshme aq sa nuk do ta zbehë asnjë”.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb