Shega është një frut që është një burim i pasur i vitaminave A, C dhe E , mineraleve si kalciumi, hekuri, magnezi, fosfori, kaliumi dhe antioksidanti selenium, ndërsa është veçanërisht e pasur me fibra. Shega është gjithashtu një burim i pasur i acidit folik. Prandaj ka një vlerë të lartë ushqyese dhe për këtë arsye quhet “ ari i kuq ”.

Konsumimi i shtuar i lëngut të shegës, sipas studimeve të fundit, mund të parandalojë zhvillimin e tumoreve kancerogjene, të kufizojë oksidimin e LDL-së dhe arteriosklerozës, duke pasur edhe efekte antivirale dhe fungicidale.

Përqendrimi i lartë i antioksidantëve në lëngun e shegës ofron një mburojë kundër krijimit të aterosklerozës së arterieve dhe mbron nga sëmundjet kardiovaskulare. Gjithashtu, studimet mbi kafshët eksperimentale dhe njerëzit kanë treguar një efekt të dobishëm në metabolizmin më të mirë të kolesterolit (nëpërmjet oksidimit të tij të reduktuar), në uljen e kolesterolit LDL (“i keq”) dhe si rrjedhojë në reduktimin e aterosklerozës së enëve të gjakut, të infarktit të miokardit dhe goditjeve në tru.

Gjithashtu është provuar se shega mund të kontribuojë në uljen e presionit të gjakut (diastolik dhe sistolik), nëpërmjet veprimit të kaliumit që përmban. Lëngu i shegës është i pasur me tanine, ka veti anti-aterosklerotike, ka një efekt kundër plakjes dhe veti të forta antioksiduese. Pirja e një filxhani me lëng shege është provuar se ka pothuajse të njëjtat efekte në cilësinë e arterieve tek çdo person që mund të krahasohet me ecjen 30 minuta në ditë.

Studimet me shtimin e shegës në kafshë eksperimentale, nga shkencëtarët spanjollë, treguan se ajo mbron shëndetin e enëve të gjakut , duke ofruar një mbrojtje më efektive të zemrës dhe mbrojtje kundër goditjeve në tru. Veprimi i saj duket se ndihmon në elasticitetin e endotelit , i cili luan një rol në funksionimin e duhur të enëve të gjakut, ndërsa dihet se dëmtimi i endotelit mund të çojë në aterosklerozë dhe rritje të rrezikut të sulmeve në zemër dhe goditje në tru.

Doza ditore e suplementit të shegës duket se redukton ndjeshëm efektet e dëmshme të një diete të rëndë kryesisht të pasur me yndyrë në trup, nëpërmjet veprimit të polifenoleve që përmban shega.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb