Muzikanti i nominuar për çmimet “Grammy”, DaBaby u arrestua në Los Angeles dhe më vonë u lirua me kusht.

Reperi është arrestuar për posedim të një arme të pa leje, të cilën e mbante të fshehur, shkruan The Guardian.

Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Jonathan Kirk, u arrestua në rrugën Rodeo Drive pasi stafi i dyqanit ‘Gucci’ thirri policinë dhe njoftoi se një person nga një grup burrash mbante një armë në brezin e tij. Oficerët gjetën një pistoletë të mbushur nëntë milimetërshe kur ata bënë një kontroll të Kirk dhe shoqëruesit të tij.

Kirk u mbajt për pak kohë dhe u lirua me kusht duke u gjobitur në vlerë 35,000 dollarë, por që atëherë ka postuar pamje të drejtpërdrejta të studios nga llogaria e tij në Instagram.

Ai është bërë një nga reperët më të suksesshëm të Amerikës që prej suksesit të tij në vitin 2019 me këngën “Suge”, duke qenë dy herë në krye të top listave të albumeve amerikane dhe duke pasur një hit global me këngën “Rockstar” në vitin 2020. Ai është nominuar për katër çmime “Grammy” këtë vit.

Në vitin 2019, Kirk u gjet fajtor për mbajtjen e një arme të fshehur pas një incidenti me të shtëna në një dyqan ‘Walmart’ në Karolinën e Veriut që la të vdekur një 19-vjeçar.

Kirk tha se ai ishte i përfshirë por po vepronte në vetëmbrojtje. Në janar të vitit 2020, ai u arrestua dhe u akuzua për grabitje dhe disa incidente të vogla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: