Kreu i Kadastrës, Artan Lame, paralajmëron se më në fund do të mbyllet procesi i regjistrimit të pronave në jug. Duke folur për media, Lame kritikoi ashpër shtetin shqiptar, që sipas tij, prej 30 vitesh nuk është në gjendje të mbyllë problemin e pronave.

Lame theksoi se pas dy dështimeve, regjistrimi i pronave do të përfundojë, ndërsa sqaroi edhe hapat që do të ndiqen, që nga marrja e informacioneve në terren, e deri te dhënia e certifikatave të pronësisë qytetarëve.

“Ka 30 vjet që shteti shqiptar, ku më shumë e ku më pak, nuk ka qenë në gjendje të mbyllë problemin e pronave, kryesisht në jug. Janë gjithë zonat kadastrale të bregdetit të jugut ende të paregjistruara. Dy herë është nisur ky proces, të dyja herët ka dështuar. Njëherë u nis dhe u la në mes, herën tjetër u çua më tej, por u la sërish, edhe pse ishte me financime të huaja. Ju them me bindje se kjo do të jetë hera e tretë ku procesi i regjistrimit të pronave në jug do të përfundojë. Por, ky proces nuk mund të bëhet pa u bërë të gjithë bashkë. Po nuk u krijua fryma e bashkëpunimit dhe fryma që shteti, me gjithë problemet që mund të ketë, e ka marrë seriozisht këtë, nuk mund të shkojë përpara. Besoj që do të mbyllet në këto muaj që është lënë si proces.

Për rreth dy-tre muaj ne do të vazhdojmë me grupet në terren për të bërë mbledhjen e informacionit, pastaj do të përpunohet në zyrat tona dhe do të shfaqet për dy-tre muaj të tjerë pranë gjithë zyrave tona në bregdetin e jugut dhe do t’i lihet afat dy-tre muaj çdo qytetari të shohë si është pasqyruar prona e tij.
Do të kemi tre kategori, o qytetarë që kanë pronën e pastër dhe do të marrin çertifikatën e pronësisë, o qytetarë që kanë probleme me njëri-tjetrin dhe arrijnë ta gjejnë zgjidhjen me njëri-tjetrin dhe do të regjistrohen të dy palët dhe do të marrin çertifikatën, o qytetarë që kanë probleme me njëri-tjetrin dhe nuk e gjejnë zgjidhjen dhe do iu thuhet të shkojnë në gjykatë”, tha Lame.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb