NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- “Tana”, “Debatik”, “Duel i heshtur”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Prita, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Zonja nga Qyteti”, “Përballimi”, “Ilegalët”, “Fije që priten”, “Pylli i lirisë”, “Dimri i fundit”, “Tingujt e luftës”, “Ata ishin katër”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Radiostacioni, “Gracka”, “Kur hapeshin dyert e jetës”, “Militanti”, “Njeriu i mirë”, “Mëngjese të reja”, “Skëterrë”, etj. Përtej titujve që shenjuan kohët e arta të Kinostudios “Shqipëria e re” sot së bashku qëndrojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve, afishet e filmave, të punuara me dorë nga artistë me zë të kohës. Duket si një art i pavënë re anipse qëndron parasysh, si art i harruar i fshehur përballë. Vizatime, skica, portrete, tek-tuk me një modernizëm të paimagjinueshëm për kohën, e sërish, krejt origjinal, si art i pandikuar nga perëndimi që nuk depërtonte gjer në Shqipëri.

100 afishe filmash artistik me metrazh të gjatë, filmash vizatimorë, apo filmash dokumentarë janë prezantuar dje në Galerinë Kombëtare të Arteve në ekspozitën “Arti dhe Dizajni i Filmit Shqiptar – Vepra të Përzgjedhura nga Vitet e Kinostudios”. Afishet, të gjitha vepra të punuara me dorë nga piktorët shqiptarë të cilët kanë punuar në ish-Kinostudio, janë vënë në një rrjedhë kronologjike. Ekspozita e kuruar nga kineasti shqiptaro-amerikan Thomas Logoreci, vë në pah trashëgiminë e pasur të filmit shqiptar duke sjellë para publikut disa nga veprat më të arrira të krijuara ndër vite nga piktorë filmi dhe artistë të talentuar si Sali Allmuça, Ksenofon Dilo, Myrteza Fushekati, Azis Karalliu, Bujar Luca, Kleo Nini, Namik Prizreni, Alush Shima, Astrit Tota, Dhimitër Theodhori dhe Shyqyri Sako.

Duke e cilësuar si një ekspozitë unike në llojin e vet, drejtori i GKA-së Artan Shabani, u shpreh se kemi një grup të madh piktorësh profesionist të cilët i kanë dedikuar jetën e tyre, pasionin e tyre dhe i kanë lënë një shenjë të fortë pikturës brenda artit të kinematografisë, brenda roleve, personazheve, skenografive. “Këto janë vepra të mirëfillta të cilat meritojnë të jenë edhe pjesë e një linje muzeale, por gjithashtu përfitoj nga rasti të theksoj që ka ardhur koha të konceptohet dhe realizohet një muze dedikuar historisë së kinematografisë shqiptare”.

Ndërkaq, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Elvira Diamanti vërejti se posterat janë një nga pasuritë e arkivit. “Ishte momenti më i mirë për ta prezantuar këtë pasuri nëpërmjet kësaj ekspozite, pra për t’i dhënë vlerën e vërtetë këtyre posterave që në fakt janë vepra arti. Publiku duhet të kuptojë që këto postera janë shumë të dashur jo vetëm për ne, për kohën në të cilën kemi jetuar, por ato ende sot mbeten vepra të kuruara. Ato na bëjnë të kuptojmë se në atë kohë afishja ishte e vetmja mënyrë për të komunikuar me publikun dhe që shërbenin si një gong për filmin që pritej të vinte”.

“Kur i kam parë posterat për herë të parë jam magjepsur sepse kisha parë filmat dhe jo posterat. Ne dimë posterin e ‘Padrinos’, por jo të “Gjeneral Gramafonit”, dhe “Taulanti kërkon një motër”. Kur pashë posterat thashë janë madhështorë, është art i vërtetë. Janë një formë arti që shpresoj të bëhen të njohur edhe në botë.

Afishet e “Shqipërisë së re”

Kineasti shqiptaro-amerikan Thomas Logoreci është magjepsur kur është përballur me koleksionin e jashtëzakonshëm të afisheve të filmave të prodhuara në komunizëm. “Për mua janë mjeshtra, çdo imazh është si pikturë. Sigurisht ka pasur ndikim censura, por dhe ka dhënë mesazhin e vet, por edhe Hollywoodi jep mesazhin e vet. Atje është çdo gjë rreth parasë, këtu ishte rreth ideologjisë. Njerëzit i krijuan këto postera me dashuri për kinemanë”. Logoreci nuk mundet të ndajë mes tyre ndonjë poster si më të veçantin. E ka të vështirë dhe mundet të thotë veçse pas kaq muajsh punë me to, tashmë mundet lehtë të dallojë stilet e artistëve. “Kam arritur në një pikë që sapo shoh posterin them është i Shimës, Karalliut, Bujar Lucës, Kleo Ninit apo Namik Prizrenit. Kjo është interesante për kulturën shqiptare sepse nuk janë më vetëm postera filmash; janë edhe art. Për mua kjo është pjesë e kulturës shqiptare, pavarësisht censurës”.

Sa i takon kushteve të ruajtjes ai thotë se kanë qenë të mira përveç filmave të viteve 1948. “Kushtet e posterave ishin të mira dhe isha i surprizuar. E di se njerëzit këtu kanë disa ndjenja të veçanta për çfarë afishet prezantojnë, por janë mirë. Unë jam pjesë e projektit të Kinemasë Shqiptare dhe jemi të shqetësuar për gjendjen e filmave në arkiv. Për të qenë të ndershëm nëse nuk bëjmë diçka në 10 vite, filmat do dëmtohen. Duhet të kemi një plan. Për mua, këta postera duhet të shfaqen në botë për të thënë se: Shqipëria, është si çdo vend në botë, filmat po dëmtohen dhe ne kemi nevojë për ndihmë në arkiv. Posterat janë kontribut për kinemanë botërore”. Ka pasur edhe postera që janë restauruar dhe këta janë ata të filmave të parë të bërë me rusët, në fakt janë dokumentarë. “Ato ishin në gjendje të keqe, sepse janë të vitit 1948. Galeria punoi shumë për restaurimin e tyre”.

Kur mungonte letra
Thomas Logoreci e sheh interesante edhe ndryshimin e vetë piktorëve të filmit, nga një film në tjetrin. Sot, shumica kanë ikur nga Shqipëria ndërsa posterat e ekspozuar të sjellin në mendje kohën kur nuk kishte letër. “Filmat e animuar janë magjepsës. Ne ekspozojmë vizatime origjinale. Ka disa që ndryshojnë, bëhet versioni i parë dhe me filmin del një poster tjetër. Në periudhën e viteve 1980, posterat u thjeshtëzuan sepse nuk mund të përballonin. Ishte gjendje e vështirë, nuk kishin letër dhe po të shohësh posterat nga pas do vëresh se e kanë ricikluar letrën, e kanë ripërdorur”. Posterat e realizuar me dorë, qe një traditë që pothuaj u zhduk pas viteve 1990, pasi fotografia ia zuri vendin vizatimit. Një prej tyre është filmi i Spartak Pecanit “Përdhunuesit” bërë nga Shyqyri Sako dhe filmi “Bota”. “Ju pyesni pse unë kam futur filmin tim ‘Bota’. Sepse pas 1991-it kjo traditë u zhduk, u pa demode. Posterat bëhen me fotografi. Ndërsa punoja me filmin ‘Bota’ unë isha magjepsur me këto postera ndaj edhe posterin e tij e bëmë me modelin e vjetër. Kur e shfaqëm filmin në ‘Karlovy Vary’ bëmë kopje të posterave. Posterat u vodhën të gjithë sepse njerëzit e pëlqenin këtë lloj pune. Tani nuk ka më vizatime, çdo gjë e bën kompjuteri”.

Kostumet

Një pjesë tjetër e ekspozitës, janë edhe kostumet e filmave. Janë marrë fletë ku janë vizatuar kostumet e filmave dhe janë ekspozuar. Burra, gra, ushtarakë, zënë vend ende në proces pune. Kapele, uniforma, fëmijë e të rritur, punëtorë, të skicuar ende pa u krijuar në film. “Për mua kjo ekspozitë tregon punën e bërë me dorë nga shqiptarët, artin me dorë. Kur pashë vizatimet e kostumeve, thashë se është unike. Dikush ka punuar edhe me fytyrën. Më bën të shoh sërish filmin e ‘Shoku ynë tili’. Për kineastët e dashamirësit e filmit, procesi i punës, procesi krijues ka shumë rëndësi”, thotë Logoreci. Ai synon që kjo ekspozitë të shfaqet edhe në “British film Institute”.

Një muze filmi

Përveç drejtorit të GKA-së që hodhi idenë e një muzeu të kinematografisë, çka i mungon Shqipërisë (sikundër në fakt i mungon edhe një muze për artin bashkëkohor), në të njëjtën mendje me të, ishte edhe piktori Arben Basha. “Ideja juaj për këtë është kaq e bukur, sepse unë dikur i pata thënë nëndrejtorit që të bënim një kënd për t’u ruajtur materialet dhe të kishim atelie të mëdha. Unë di se ka aktorë që pasi mbaronte filmi nuk e dorëzonte kostumin. Një prej tyre është edhe Guljem Radoja. Kjo është një vlerë, që nesër pasnesër të ketë edhe disa objekte. Ky është një projekt që nuk duhet menduar kështu, sepse duhet të nisë një njeri që t’i mbledhë këto objekte”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: