Stefano Fasias, artist i njohur grek, drejtues i një ansambli shumë të njohur në Selanik është ndier i befasuar me ndryshimet që ka pësuar qyteti bregdetar shqiptar.

Fasias ka vizituar për herë të fundit qytetin e Vlorës 4 vite më parë, ai erdhi për herë të parë në Vlorë për të marrë pjesë në Edicionin e 6-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”. Qyteti në atë kohë, nuk ofronte asnjë përshtypje të veçantë, pavarësisht peizazhit tërheqës natyror.

Por, sot, ajo çka sheh e ka lënë pa fjalë. Ndryshimet në qytet, “Lungomarja”, rrugët, gjithçka. Është një transformim i plotë dhe i pabesueshëm në kaq pak kohë.

Sot, Vlora për artistin grek është një qytet i mrekullueshëm, i denjë për t’u vizituar nga turistët e huaj. Madje, ai thotë se, me pamjen aktuale, Vlora i kujton qytetin e vet të lindjes, me një profil turistik mjaft të spikatur, shkruan Atsh.

Ka mbetur i befasuar dhe këtë përjetim e përcjell në çdo fjalë që thotë, të cilat i shoqëron me një buzëqeshje të ngrohtë, teksa kthehet herë-herë edhe nga bashkëshortja, duke kërkuar prej saj me gjeste dhe shprehjet e fytyrës edhe një lloj miratimi.

“Kam një përshtypje të mrekullueshme sot për Vlorën. Kam ardhur edhe në vitin 2014, për të qenë në këtë festival të shkëlqyer të folklorit, që organizohet këtu në qytetin tuaj. Por, sapo mbërrita, menjëherë më bëri përshtypje transformimi dhe ndryshimi total i Vlorës”, – shprehet për ATSH-në Fasias. Ai u habit me ndryshim, modernizimin e qytetit, i cili aktualisht i kujton Selanikun, qytetin ku ka lindur dhe jeton me familjen. “Unë u habita me ndryshimin e madh që ka bërë Vlora e cila, kështu, kaq e bukur, më kujton Selanikun, qytetin tim”, – thotë artisti nga Greqia. Sipas tij, Vlora sot është një qytet i denjë për zhvillimin e turizmit, ku turistët e huaj mund të vijnë e të shijojnë, jo vetëm detin dhe bukuritë e natyrës, por edhe bukurinë e qytetit, shërbimet që ofrohen këtu, këtë pamje të mrekullueshme.

Ai shton se, përtej vizitës si artist, do të vinte me kënaqësi në Vlorë për të kaluar pushimet gjithashtu do t’ua sugjeronte edhe miqve të e tij. Por, këtë nuk mund ta thoshte 4 vjet më parë, atëhere kur përshtypjet e tij për qytetin, ishin krejtësisht të ndryshme. “Unë, nëse do të më krijohen mundësitë, do të vij vetë këtu për pushimet dhe do të sjell edhe miqtë e mi, për të pushuar e për të bërë plazh. Dhe, padyshim që edhe ata do të kënaqen. Por, këto fjalë, nuk mund t’i thosha në vitin 2014, kur unë isha këtu për herë të parë, sepse qyteti në atë kohë ishte shumë më ndryshe.

Tani jam i sigurtë, ndihem ndryshe dhe Vlora më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë”, -përcjell përmes ATSH-së, përjetimet e tij për qytetin e Vlorës, artisti nga Greqia, Stefano Fasias, i cili vetëm një ditë pas këtij bashkëbisedimi do të përjetonte edhe një moment tjetër të mrekullueshëm.

Grupi që ai drejton, Ansambli “Epirus” i Selanikut, u kurorëzua me Kupën e Edicionit të 10-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: