Artisti i njohur italian i Xhazit ka qenë në Tiranë për një koncert në Teatrin e Operas. Pak orë para se të takohej me publikun shqiptar, ai rrëfeu muzikën sipas tij e gjuhën universale të artit.

Improvizim dhe rikonceptim i melodive të njohura përmes një qasjeje krejt personale. Artisti italian i jazit Stafano Bollani ka mbajtur një koncert në Teatrin Kombëtar të Operas në Tiranë. I njohur si personazh eklektik, me formim klasik e veprimtari të gjatë në xhaz, kompozitor, krijues dhe prezantues televiziv, ai foli për muzikën sipas tij.

“Zakonisht e vendos muzikën që do bëj pasditen para koncertit, dhe në mbrëmje e ndërroj. Edhe kur e vendos një program, unë e ndryshoj, pasi improvizoj shumë sepse dua ta bëj muzikën në moment. Mua më pëlqen të luaj në të tashmen, as në të shkuarën, as në të ardhmen. Por nëse flasim për të ardhmen do më pëlqente të luaja me orkestrën tuaj” tha Stefano Bollani para mediave në Tiranë.

I njohur si muzikant xhazi që ka prekur skenat më të mëdha të botës, Bollani ka bashkëpunuar edhe me Luciano Pavarottin e Andrea Bocellin. Në koncertet e tij ai e lë veten të udhëhiqet nga muzika dhe publiku dhe është i hapur për të ritakuar Tiranën e artit.

“Nuk kam bashkëpunuar me shqiptarë me herët, por pse jo. Gjëja më e bukur kur bën muzikë, është pikërisht mundësia për të dialoguar menjëherë me këdo, nuk ka rëndësi as kombësia as mosha, sepse muzika është vërtetë një gjuhë universale me të cilën kuptohesh menjëherë me këdo”, tha ai.

Bollani filloi të luante në piano që në moshën 6-vjeçare. Meloditë e tij bashkojnë një repertor këngësh popullore italiane, xhaz amerikan e muzikë të Amerikës së Jugut, pa lënë mënjanë ariet italiane, kompozitorët klasikë të shekullit të 20-të dhe kompozime e veta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb