Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar ‘’Asgjë nuk harrohet’’ në zbatim të masave të sigurisë dhe urdhër-ndalimit nga SPAK për autorët e dyshuar për vrasjet e 15 viteve më parë ndaj Klodian Saliut e Vajdin Lamajt.

Sipas Policisë, janë ekzekutaur 4 masa sigurie arrest me burg dhe një urdhër ndalim i lëshuar nga SPAK, ndërkohë vijojnë në kërkim ndërkombëtar vetëm 2 prej të akuzuarve, Lulzim Berisha e kunati i tij Plarent Dervishaj.

Deri më tani Policia ka mundur të sigurojë kapjen e 5 prej autorëve të dyshuar, Emiljano Shullazin që ndodhej në burg, Indrit Taullain që u arrestua në Kosovë dhe pritet ekstradimi, Viktor Ymerin që u arrestua sot, shtetasin me inicialet I.R, që është ndaluar si dhe Luftar Reçi.

  • foto galeri

(Ne foto, Vajdin Lamaj)

NJOFTIMI NGA POLICIA

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Asgjë nuk harrohet”.

Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcat Speciale Renea, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës e Vlorë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Kukës dhe Interpol Tirana, nën drejtimin e SPAK-ut.

Zbardhen dhe dokumentohen dy vrasje të ndodhura në vitin 2005.

Ekzekutohen 4 masa sigurie “Arrest në burg”, si dhe një urdhër ndalimi i lëshuar nga SPAK

Shpallen në kërkim ndërkombëtar dhe dy autorë të tjerë të cilët nuk u kapën gjatë operacionit.

Gjatë operacionit policor të koduar “Asgjë nuk harrohet”, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit V. Y. dhe I. R.

Njëkohësisht, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit, shtetasi I. T. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit nga Republika e Kosovës.

Gjithashtu, po nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit Emiliano Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale).

Si dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasit L. B. dhe P. D., për të cilët vijon puna intensive për lokalizmin dhe kapjen e tyre.

Për këta shtetas, pas provave të grumbulluara nga hetimet e kryera, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, konkretisht:

L.B., P. D., I. T. dhe L. R., të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan) Saliu, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

Gjithashtu, po me këtë vendim, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Y  për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

Po nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë kapja dhe ndalimi edhe i shtetasit  I. R.

Policia e Shtetit falënderon autoritetet e  Policisë së Kosovës për gadishmërinë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të treguar në kapjen dhe prangosjen e të kërkuarit I. T.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit falënderon partnerët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese ndërkombëtare për mbështetjen, bashkëpunimin dhe gadishmërinë e treguar për të lokalizuar dhe kapur personat e tjerë të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal

Policia e Shtetit është e vendosur dhe vijon punën intensive për zbardhjen e të gjitha ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe në këtë kuadër fton qytetarët që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjet kriminale, të bashkëpunojnë me Policinë, duke dërguar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo informacion të mundshëm sado të vlefshëm që do të shërbejë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb