Të dhëna dokumentare mbi dënimet e rënda që pasuan vrasjen e Bardhok Bibës, përfshirë katër dënime me varje në litar.
Më 7.8.1949 u vra sekretari i parë i Komitetit të PKSH-së së Mirditës, Bardhok Biba. Për vetë figurën e tij, regjimi komunist ndërmori një hakmarrje të gjerë, pa lidhje me autorët e ngjarjes. 26 persona u morën të pandehur. U akuzuan në bazë të neneve 3/7, 12, të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Me një faqe e gjysmë pretencë, prokurori kërkoi gjykim me procedurë të shpejtuar. Asnjë provë nuk solli prokurori për të mbështetur akuzat e tij, ndërsa e lidhi ngjarjen me “imperialistët amerikanë” dhe “trockistët titistë”. Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e drejtuar prej nënkolonel Bilibil Klosit, prokuror major Misto Bllaci, me vendimin nr.98, datë 16.8.1949 i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me vdekje:
1-Pjetër Dodë Vila. U lind në vitin 1915. Me varje në litar.
2-Dodë Mark Biba. U lind në vitin 1918. Me varje në litar.
3-Dodë Llesh Paloka. U lind në vitin 1908. Me varje në litar.
4-Dedë Preng Gjomarkaj. U lind në vitin 1882. Me varje në litar.
Të tjerët morën dënimet të rënda. Disa prej tyre vuajtën shumë vite heqje lirie. Tre prej tyre ishin:
-Mark Preng Marku (u lind më 7.12.1905 në Gazull të Mirditës), vuajti 17 vjet, 7 muaj, 18 ditë burgim. Kishte dhe një dënim të mëparshëm në vitet 1945-1947. Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 29.3.1967.
-Preng Gjetë Çupi (u lind më 5.6.1916 në Mirditë), vuajti 16 vjet, 9 muaj, 10 ditë burgim. Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 21.5.1966.
-Mark Nikoll Tuci (u lind më 10.11.1924 në Mirditë), u dënua dy herë: në vitet 1949-1957 dhe 1980-1989, duke vuajtur gjithsej: 16 vjet, 1 muaj, 28 ditë. Me punë specialist minierash në Selenicë dhe Rubik. Me origjinë shoqërore fshatar i pasur. Në dënimin e dytë, thuhej se banonte në Ndërfushas dhe punonte në kooperativë bujqësore. Familja konsiderohej se kishte qenë e lidhur me regjimin e Zogut. Xhaxhai i tij Zefi dhe halla Maria, kishin vdekur në burg.
Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 16.2.1957.
Disa vjet pas lirimit, u arrestua më 4.11.1980. U akuzua në bazë të neneve 55/1 dhe 27 (internimi) të Kodit Penal. Ishte spiunuar nga 10 bashkëpunëtorë. Kish qenë nën raportimin e Sigurimit menjëherë sapo kish dalë nga burgu. Në një raportim thuhej se ishte shprehur: “Këtu flitet për barazi, por si qenka kjo barazi kur njëri ha më shumë se tjetri. Thonë me gojë se kemi barazi, në fakt nuk na. Me u dorëzuar nuk kemi ndërmend. Ka ardhur koha që të hanë njëri-tjetrin. Po të vijë koha e luftës, më mirë të më vrasin miqtë e mi, se sa këta. Do bashkohem me miqtë e do u kthehem këtyre. Edhe kur kanë qetësi, këta nuk flenë kollaj. I mbajnë veshët ngritur si lepuri. Kanë frikë nga qetësia se mos u vjen ndonjë e keqe”. Gjykata e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.10, datë 4.2.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe 5 vjet internim. U la në fuqi me vendimin nr.48, datë 26.2.1981 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 27.6.1989 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari./ Kujto.al
