Atalanta duket se është dashuruar me shqiptarët. Pas portierit Etrit Berisha dhe Berat Gjimshitit që po vijon të luajë në nivele të larta, bergamaskët kërkojnë edhe shërbimet e mbrojtësit Marash Kumbulla.

Christian Romero do të kalojë te Tottenham dhe Atalanta kërkon ta zëvendësojë pikërisht me shtatlartin shqiptar. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare mund të luajë shumë mirë në një mbrojtje me tre dhe kalimi tek Atalanta do të ishte interesant, edhe prej faktit që Kumbulla aty mund të bashkohet me Berat Gjimshitin, futbollistë që e njohin shumë mirë njëri-tjetrin.

Por, Roma është ajo që vendos për të ardhmen e mbrojtësit të blerë nga Verona, për të cilin gjithashtu u përfol se mund të futej në negociata me Torino për të arritur te Belotti.

Përveç kësaj, Roma harxhoi afro 30 milionë euro për blerjen e Kumbullës dhe Atalanta nuk besohet të shkojë te kjo shumë. Me siguri do të ketë shkëmbime lojtarësh për të kryer këtë operacion. Gjithsesi, klubi bergamask nuk ka bërë një ofertë zyrtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb