Numri një i stolit të Bjellorusisë, Viktor Gonçarenko u ndal të fliste para takimit ndaj Shqipërisë në Nations League.

Si është situata e lojtarëve të përfaqësueses së Bjellorusisë?
Do të thosha se kemi pasur një atmosferë shumë pozitive dhe plot energji gjatë gjithë grumbullimit. Kjo vlen si për stërvitjen, ashtu edhe për seancat teorike dhe komunikimin brenda ekipit. Lojtarët kanë nëj qasje me tregojnë përgjegjësi të lartë si në stërvitje, ashtu edhe në procesin e rikuperimit. Ata po bëjnë gjithçka që munden për të luajtur mirë në ndeshjet në vijim.

Pak para nisjes, ekipit iu bashkuan tre lojtarë që nuk ishin në listën fillestare. A ishte vendimi juaj për t’i përfshirë të gjithë duke pasur parasysh ndeshjet e ardhshme?
Nëse do të kishim dy ndeshje, siç ndodh zakonisht, për shembull në qershor ose mars, atëherë ndoshta do të na duhej një skuadër më e vogël. Duke marrë parasysh se tani kemi katër ndeshje, të cilat do të luhen brenda një periudhe të shkurtër kohore, na duhet një skuadër më e zgjeruar. Në rast dëmtimesh apo pezullimesh, është e rëndësishme të kemi mjaftueshëm lojtarë gati për të zbritur në fushë në ndeshjet e ardhshme. Prandaj, kemi vendosur të përfshijmë 23 lojtarë fushe dhe tre portierë në këtë grumbullim.

A keni ndonjë ide fillestare për formacionin titullar që mund ta bëni publike?
Sigurisht që po. Një formacion i caktuar fillon të kristalizohet gjatë ndeshjeve të para, kur fillon t’i vëzhgosh lojtarët dhe të analizosh aspekte të ndryshme. Më pas, marrim parasysh dëmtimet, kush është i pranishëm në grumbullim, e kështu me radhë. Sigurisht, kjo është kryesisht një punë e brendshme e ekipit. Por ne duhet të nxjerrim përfundime të caktuara dhe t’ua komunikojmë ato lojtarëve. Kjo është e nevojshme, para së gjithash, për vetë ekipin.

Sa i rëndësishëm është për ju rezultati i ndeshjes së parë, për të krijuar një atmosferë pozitive për të gjithë turneun?
E dini, qëllimi i gjithë këtij grumbullimi dhe i ndeshjeve të para është të tregojmë më të mirën tonë. Të flasësh për atë që duam të arrijmë pas ndeshjes së parë apo të tretë, ndoshta nuk është e drejtë. Synimi ynë është të luajmë sa më mirë në të gjitha ndeshjet e ardhshme. Kjo vlen si për ekipin në tërësi, ashtu edhe për çdo lojtar individualisht. Duhet të ruajmë një nivel të mirë loje që nga minutat e para të ndeshjes. Njëkohësisht, është e rëndësishme që lojtarët që hyjnë si zëvendësues ta forcojnë gjithashtu ekipin. Një organikë e gjerë na mundëson pikërisht këtë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb