NGA ORNELA MANJANI

TIRANE-
Ish-pronarët duhet të plotësojnë formularintip dhe dokumentet që provojnë pronësinë mbi pronën e pretenduar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të përfituar kthimin apo kompensimin e pronës. Formulari merret në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe dorëzohet i plotësuar dhe i shoqëruar me dokumentet përkatëse dorazi ose me postë. Sipas legjislacionit në fuqi, subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ligjorë ose përfaqësuesi i tyre me prokurë, depoziton në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij.

Kërkesa e subjektit të shpronësuar, trashëgimtarëve të tij ligjorë ose përfaqësuesit me prokurë, duhet të jetë sipas formularit-tip, i cili publikohet nga gazeta, për aplikimin e kërkesave për njohje e kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari-tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.

DOKUMENTET
Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor; b) dokumentacioni hartografik; c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentacioni ligjor përbëhet, sipas rastit, nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/ Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së, dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944, apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14, të ligjit nr.37, datë 13.1.1945, “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës ose çdo dokument tjetër ligjor i lëshuar nga institucionet shtetërore, i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes”.

Ndërsa, kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata, si dhe aktekspertimin, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë. Sipas ligjit dhe VKM-së që rregullon funksionin e tij, dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku, sipas rastit, mund të jetë zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi, ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor, për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier/gjeodet të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.

MANGËSITË
Në rastet kur ATP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e depozituara në ATP për shqyrtim përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji si dhe për kërkesat e paraqitura nga subjektet brenda afatit 90-ditor të përcaktuar në ligj.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: