Nga data 17 Maj, Vlora do te hapi zyrtarisht sezonin e saj festiv. Në shëtitoren e bukur të Lungomares, aty ku deti puth qytetin, ne do te nisim një udhëtim të paharrueshëm me tingujt e koncerteve madhështore, ku emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare si Soni Malaj, Yll Limani, Avandi, Alex Guesta, Dexter, Kida, Ledri Vula dhe DJs from Mars do te ndezin netët e qytetit tonë.
Por nuk jemi ndalur vetëm te muzika! Nga mëngjesi deri në mbrëmje, fëmijët tanë do te shijojne një larmi lojërash, nga mini basketbolli, futbolli e volejbolli, deri te face painting, kërcime argëtuese dhe ekspozita pikture që treguan se arti jeton në çdo cep të Vlorës.
Në datën 18 Maj, gjithçka do te shndërrohet në një arenë sportive me triatlonën e zhvilluar në Ujin e Ftohtë, ku qindra të rinj do te garojne në not, vrap dhe biçikletë, duke dëshmuar se Vlora është një qytet që frymon shëndet dhe jete.
Vlora nuk është vetëm energji, por edhe art i lartë dhe trashëgimi kulturore. Më 23 Maj, teatri ynë “Petro Marko” do të shndërrohet në një tempull muzike, ku opera “Gran Gala” do të sjellë një repertor të jashtëzakonshëm me arie klasike, me zëra të fuqishëm që do të prekin zemrat tona dhe do të lartësojnë ndjeshmërinë artistike të qytetit tonë.
Po në të njëjtën datë, më 23 dhe më pas më 24 Maj, qyteti ynë do të vishet me veshjet shumëngjyrëshe të traditës në “Aulona Folk Festival”. Grupi folklorikë nga të gjitha trevat shqiptare dhe të ftuar nga jashtë vendit do të sjellin një festë të trashëgimisë sonë, ku kënga dhe vallja do të flasin në gjuhën e zemrës shqiptare, duke i dhënë Vlorës tingujt e rrënjëve tona të përbashkëta.
Dhe kur të mendojmë se festa përfundon, atëherë ajo sapo ka nisur! Nga data 25 deri më 30 Qershor, Vlora do të shpërthejë në një karnaval tropikal! Java e Karnavaleve të Brazilit do të sjellë në shëtitoren tonë ritmet magjike të sambës, ngjyrat magjepsëse të paradave dhe energjinë shpërthyese të kulturës latine. Vlora do të vallëzojë – nga mëngjesi në mbrëmje – duke u kthyer në një Rio të Mesdheut, një urë midis kontinenteve dhe zemrave që rrahin njësoj për jetën dhe gëzimin.
Sot, Vlora nuk është më thjesht një qytet bregdetar. Ajo është një skenë e madhe, ku ndërthuren arti, sporti, historia dhe festa. Ajo është ftesa më e bukur që Shqipëria i ben botes!
(BalkanWeb)