Pse AfD-ja po forcohet gjithnjë e më shumë në lindje të Gjermanisë dhe cilat janë arsyet që qëndrojnë pas mbështetjes së lartë për të djathtën ekstreme?

Në një intervistë për News 24, gazetari i DW, Auron Dodi, renditi disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë situatë, duke u ndalur te pakënaqësia sociale, pabarazitë ekonomike dhe hendeku ende i pranishëm mes lindjes dhe perëndimit të Gjermanisë.

Dodi tha se dobësia strukturore e landeve lindore, të ardhurat më të ulëta, plakja e popullsisë dhe problemet infrastrukturore kanë krijuar te një pjesë e qytetarëve ndjesinë se janë lënë pas dore.

Sipas tij, në këtë terren ndikon edhe mënyra se si AfD-ja shfrytëzon pakënaqësinë dhe identitetin gjermanolindor në komunikimin e saj politik.

News24: Në Lindje të Gjermanisë, AfD-ja, me pjesë të saj të klasifikuara si ekstremiste të djathta, arrin rezultate rreth dy herë më të larta se në Perëndim.

Vëzhguesit vazhdojnë të kërkojnë burimin e kësaj situate.

Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje.

Në dy lande lindore të Gjermanisë AfD është bërë tani forcë kryesore politike.

A ekziston një shpjegim i përbashkët?

A.Dodi: Janë disa shkaqe, objektive dhe subjektive. DW pyeti për këtë Komisioneren e posaçme për Lindjen të qeverisë gjermane, Elisabeth Kaiser.

Sipas saj, shkaku i parë ka të bëjë me dobësinë strukturore të landeve lindore: njerëzit atje kanë të ardhura më të ulëta, kanë më pak pasuri dhe kemi plakje më të madhe të popullatës. Infrastruktura ka gjithashtu probleme. Këto e ndikojnë debatin shoqëror të njerëzve atje, perspektivën e tyre. Krijojnë te njerëzit përshtypjen se ata nuk i dëgjon njeri, se i kanë lënë pas dore. Dhe dikur, sipas Komisioneres, kjo i bën njerëzit receptivë për mendime autoritare.

Së dyti, në Lindje janë më pak të konsoliduara disa prej strukturave ndërmjetësuese mes qytetarit dhe politikës, si shoqatat, kishat dhe organizatat e tjera. Kështu që, një qytetar i pakënaqur ndodhet atje ballë për ballë me politikën. Edhe narrativa, se të gjithë gjermanolindorët janë viktima të perëndimit e ushqen retorikën e ekstremeve politike.

Së treti, AfD-ja përdor edhe simbole që lidhen me nostalgjinë lindore. P.sh. kandidati kryesor i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund, përdori në fushatë një motoçikletë Simson, një markë me status kult në RDGJ (e cila vazhdoi të prodhohej në Gjermaninë lindore deri në vitet 2000.)

Teza e “kolonizimit” të lindjes nga perëndimi i Gjermanisë dëgjohet shpesh. A është një nga burimet për pakënaqësinë?

Një historian i rritur në Gjermaninë lindore, Patrice G. Poutrus kujtoi këto ditë në shtypin evropian se ribashkimin Gjermanisë Lindore nuk ia imponoi askush nga jashtë. Me fjalë të tjera edhe ai e kundërshton tezën e “kolonizimit” të Gjermanisë lindore. Aderimin në RFGJ e vendosi vetë gjermanolindorët, shumica e tyre. Në zgjedhjet për parlamentin e RDGJ, shkroi Poutrus, ishte një shumicë e madhe që votoi për partitë që qeverisnin në Bonn, kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore. Në vitet 1990, kjo shumicë i zgjodhi sërish këto parti, si në nivel federal, ashtu edhe në landet lindore.

Nuk mund të mohohet se lindja u përball në atë kohë me një presion të madh për të ndryshuar, presion thuajse inekzistent në Gjermaninë Perëndimore. Edhe privatizimi i vrullshëm i ekonomisë gjermanolindore la të pakënaqur. Logjika radikale e tregut, që u aplikua, „solli pak fitues dhe shumë humbës“, si në lindje, ashtu edhe në perëndim të Gjermanisë.

Në medie kërkojnë shpjegim për gjendjen e sotme te identiteti i ndryshëm gjermanolindor. A ekziston një identitet i mirëfilltë i përbashkët gjermanolindor?

Fakt i pamohueshëm janë përvojat e përbashkëta të njerëzve në landet lindore. Komisionerja e qeverisë gjermane për lindjen përmendi në këtë kuadër kolapsin ekonomik të RDGJ dhe humbjen e profesioneve. Po edhe faktin që, në sistemin e ri, papritur u zhvlerësuan  kontributi dhe aftësitë e gjermanolindorëve.

Por historiani i rritur në Gjermaninë lindore, që përmenda, lë të kuptohet se jo të gjithë u bënë humbës pas RDGJ – që të bashkohen sot në narrativën e përbashkët të viktimave, e cila është ndarëse. Në 1989 -ën, një pjesë donin komunizëm të reformuar ose një mrekulli ekonomike. Por disa prisnin p.sh. edhe ripërtëritje ekologjike, apo triumf të lëvizjes feministe.

A ka ndonjë përfytyrim sa i madh është hendeku i pasurisë personale të gjermanolindorëve përballë gjermanoperëndimorëve?

Po. Gazeta ekonomike „Handelsblatt” raportoi këtë javë se në vitin 2025, 95 për qind e vlerës së trashëgimive dhe dhurimeve të regjistruara për qëllime tatimore në Gjermani i takonte landeve perëndimore. Me fjalë të tjera, 2100 euro për frymë shkuan në perëndim dhe më pak se 500 euro shkuan në lindje.

Pra, dallimi mbetet shumë i madh: në Lindje, përfshirë Berlinin, jeton rreth një e pesta e popullsisë së Gjermanisë, por vetëm rreth pesë për qind e vlerës së trashëgimive dhe dhurimeve të regjistruara për qëllime tatimore i takoi kësaj pjese të vendit.

Një shpjegim është se në RDGJ njerëzit mezi kursenin para dhe vetëm rrallë mund të blinin shtëpi apo banesa. Edhe pas vitit 1990 pagat mbetën më të ulëta. Komisionerja Kaiser i tha DW se pa pasuri dhe pa lidhje, shumë njerëz nuk besojnë më se njeriu mund të avancojë në shoqëri me punën e vet. Ajo propozoi në raportin e saj vjetor, që nga të ardhurat shtesë nga një tatim më i lartë mbi trashëgimitë e mëdha të mos përfitojnë vetëm landet me të ardhura të larta nga ky tatim, por të parashikohet një mekanizëm financiar kompensimi mes landeve.

Situata mbetet e tillë megjithë transfertat e mëdha nga Gjermania perëndimore në Gjermaninë lindore pas ribashkimit?

Po. Llogaritet së që pas ribashkimit, deri në 2014, në lindje janë transferuar nga perëndimi 1500 -2000 miliardë euro. 60-70% e kësaj shume u përdor për të kompensuar dallimet në pensionet, në sigurimet shëndetësore dhe për të papunët e shërbimet sociale. Për infrastrukturën (për rrugët, telekomunikacion, rinovimin e qyteteve, për ndihma direkte ekonomike) u dhanë rreth 200-300 miliardë euro.

Paralelisht në lindje të Gjermanisë janë bërë investime të mëdha për të ardhmen: janë ndërtuar fabrika për gjysmëpërçuesit, për fotonikën, për teknologjinë mjekësore dhe është investuar në universitete të forta.

E thënë ndryshe: në tërësi, standardi mesatar i jetesës në Gjermaninë Lindore mbetet më i ulët se në perëndim të Gjermanisë. Por edhe në këtë situatë ai është mbi nivelin, ose i barabartë me nivelin e Çekisë, Polonisë dhe Sllovakisë. Kjo sipas të dhënave makroekonomike të Eurostat-it dhe të OECD-së mbi fuqinë ekonomike dhe fuqinë blerëse.

Çfarë propozohet për të rifituar besimin e njerëzve që ndihen të lënë pas dore?

Një nga përgjigjet që japin studiuesit dhe politikanët është: më shumë empati, evidentim më i qartë i zhvillimeve pozitive dhe komunikim më i mirë. Edhe kundërshtarët e AfD-së pranojnë se partia di të përdorë me efekt komunikimin emocional dhe rrjetet sociale. Njëri nga njohësit e mirë të Gjermanisë, historiani britanik Timothy Garton Ash shkroi së fundi në shtypin evropian, se suksesi i AfD-së, i Trumpit dhe i Farage-it mbështetet te komunikimi emocional.

Formula është kjo: “po të dëgjoj, e mbështes indinjatën tënde, unë jam njëri nga ju. Bashkë mund të nisemi drejt një të kaluare imagjinare”.

Garton Ash propozon dy mjete: prani të vazhdueshme në rrjetet sociale dhe prani fizike në terren. Si shembull ai përmend Péter Magyar-in në Hungari dhe, deri diku, Andy Burnham-in, në Britaninë e Madhe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb