Autori i emisionit “Report” në Rai3, emision që ka nxitur reagime të shumta pas transmetimit të një reportazhi lidhur me Shqipërinë, ka reaguar pak më parë në rrjetet sociale.

Në një postim në Facebook, ai i referohet një sondazhi të bërë në faqen më të madhe informative në vend, “BalkanWeb”, ky qytetarët pyeten se cilin mbështesin në “përplasjen” mes kryeministrit Edi Rama dhe televizionit RAI3, referuar deklaratave të shumta mes kreut të qeverisë dhe emisionit, ndërkohë që pjesë e reagimeve është bërë sot edhe Georgia Meloni.

Autori i emisionit Sigfrido Ranucci, shprehet se shumica e shqiptarëve i besojnë më shumë emisionit se sa kryeministrit Rama, ndërsa ka paralajmëruar edhe një herë se sonte në orën 21:00 do të publikohen fakte të reja dhe dokumente ekskluzive që tregojnë se si disa përfaqësues kryesorë të qeverisë kanë përfituar nga gjetjet për OJQ-të bazuar në disa hetime gjyqësore.

  • foto galeri

“Por ka sondazhe në Shqipëri që tregojnë se populli shqiptar në përqindje nga 60% deri në 80% beson më shumë në “Report” sesa në versionin e Ramës. Tematikës do t’i rikthehemi sonte me një shërbim që do të hetojë rezultatet e dobëta të deritanishme të dekretit Cutro. Me dokumente ekskluzive do t’ju tregojmë se si disa përfaqësues kryesorë të qeverisë kanë përfituar nga gjetjet për OJQ-të bazuar në disa hetime gjyqësore. Sonte në Rai3 në orën 20:55”, shkruan ai.

Kujtojmë se emisioni investigativ “Report” trajtoi një javë më parë marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve.

Në investigimin e RAI-it u shfaq Engjëll Agaçi se personi kyç i kësaj marrëveshje mes dy kryeministrave, marrëveshje e cila nuk ka patur transparencën e duhur nga asnjëra palë.

Media italiane e ka cilësuar Agaçin si ish-avokat i narkotrafikantëve dhe person që ka tentuar të korruptojë kreun e interpolit të Romës.

Por gazetari Giorgio Mottola ka shkuar edhe më tej gjatë emisionit duke u ndalur në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai është ndalur edhe tek akuzat që i janë bërë Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama nga opozita.

“Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë.

Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore” – thuhet në dokumentin e emisionit “Report” të RAI 3 që ka publikuar edhe fotot e Olsi Ramës.

Pas akuzave të përfaqësuesve të opozitës, vetë Olsi Rama si dhe kryeministri Edi Rama i mohuan akuzat duke paralajmëruar një padi për shpifje në gjykatë për Gazment Bardhin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: