TIRANË- Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka ka ngritur sot akuza të reja mbi policinë e shtetit, në lidhje me avionët që transportojnë drogë nga Shqipëria në Itali. I ftuar në rubrikën ‘Opinion” në studion e ‘News 24”, Paloka tha se ka prova që policia shqiptare ka dekonspiruar një operacion të policisë italiane, duke bërë që avioni me drogë të kapet bosh.

“Diheshin ditët se kur do të mbushej avioni me drogë, ishte llogaritur që do kapeshin në flagrancë transportuesit, por operacioni u sabotua në Shqipëri. Një natë para se të merrej malli shkoi policia shqiptare dhe u njoftuan njerëzit që do bënin këtë transport. Avioni u kap në Itali pa mall, akuza u bë me atë që kishte ndodhur më parë dhe jo çfarë u kap në flagrancë. Kjo e implikon dhe njëherë tjetër policinë shqiptare”,- tha ai.

Demokrati Paloka komentoi ndër të tjera raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 21 Qershorit, duke i cilësuar ato si më të këqijat në 10 vitet e fundit. Ai shkoi më tej kur tha se: “Shteti ndërhyri në zgjedhje”.

“Zgjedhjet zhvillohen në mënyrë të tillë, sa jemi të detyruar të përballemi me një shtet kriminal, krimin e ka futur në struktura drejtuese, nuk njihet më ku fillon shteti dhe ku fillon krimi. Futja e ministrit të Brendshëm totalisht në thesin e krimit e tregon këtë. Rastet e fundit të kapjes së dy avionëve në Itali të nisura nga Shqipëria por sidomos dëshmia e Zaganit e dëshmon më fort”, tha Paloka.

Ndërsa duke komentuar procesin e dekriminalizimit, deputeti i PD-së, tha se ai është një proces që kërkon vullnet politik më shumë se sa ligje.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: