Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur sot konflikti i një familjeje nga Vlora. Një 32-vjeçar, babai i një fëmije 7 vjeç ka trokitur në studio për të rrëfyer historinë e dhimbshme, e cila i ka shkatërruar jetën dhe nuk e lë të jetojë i qetë dhe i lumtur. 32-vjeçari gëzonte martesë që prej vitit 2012 dhe si fryt i saj erdhi në jetë një fëmijë që sot është 7 vjeç. Nuk do të zgjaste shumë kjo lumturi pasi bashkëshortja një ditë të bukur vendos të largohet nga banesa me gjithë fëmijën me arsyen se duhet të shkonte në Itali për vizitë te motra e saj. Që nga ai moment edhe deri në ditët e sotme 32-vjeçari nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet bashkëshortja dhe fëmija. Ai ka apeluar për ndihmë dhe kërkon të japi një mesazh.

“Jam njohur me nusen me lajmësi. Babi në fakt bëri një prezantim shume të keq. Ai ka pohuar aty se jemi shumë të pasur. Unë e kam dashur bashkëshorten, nuk mund të them që nuk e dua por me këtë që ka bërë nuk mund ta fal sepse kam dy vite që nuk e shikoj. Asaj nuk i ka munguar leku as kushtet. Ne kishim një restorant timin, ku aty ajo ishte menaxhere. Kur u prish biznesi ne më parë i kishim hapur nuses një dyqan rrobash, por ajo nuk e mbajti dot. Gjatë punës në restorant ajo më ka pohuar që donte të shkonte për azil. Unë kam jetuar mirë me të por mamaja e saj ndërhynte shumë në gjithçka. Ka pasur momente që unë nuk flisja me nusen sepse nusja ishte zënë me prindërit e mi.

Sa herë që janë krijuar këto sherre nuk kam qenë prezent. Ajo më propozoi që të bëja ndarjen për të fituar azil jashtë. U bë një ndarje me mirëkuptim e cila nuk përfundoi deri në fund. Unë kam shkuar edhe në Gjermani për një jetë më të mirë, në atë kohë nusja ime bën një sherr me nënën time dhe shkojnë në gjyq. Mami më pohoi mua dhe në prokurori se kishin bërë një lojë për të përfituar azil në shtetin gjerman. Mirëpo për këtë mami edhe e deklaroi që u bë për arsye përfitimi dokumentesh. Për këtë nëna ime u dënua për dhunë në familje një vit me arrest shtëpie. U denoncua nëna për dhunë në familje për të përfituar azil, por kur mora vesh gjithë këtë u mërzita dhe nuk i fola më mamit. I provuam gjithë shtetet por u kthyem në Shqipëri, por ajo ka pasur gjithmonë mendjen për t’u larguar për azil. Madje provuam ndarjen fiktive, edhe e bëmë, ia thamë këtë edhe avokatit këtë. Një ditë djali më thotë babi ti je babi i keq, se kështu më ka thënë tezja. Ne u ndamë me dokumente, edhe ajo shkoi të jetonte te familja e saj dhe unë në Vlorë”, tregoi Alket Balili.

Nëna e tij, Manushaqja tha se kishte qenë burri i saj që e kishte gjetur nusen e djalit. Ajo deklaroi se largimi i nipit është një ngjarje tronditëse për gjithë familjen.
“Bashkëshorti nuk më pyeti, ai kishte një shok të ngushtë ai ia prezantoi familjen e nuses. Nuk kam qenë kurrë pro, im shoq ka mbaruar psikologjikisht, marrja e nipit na ka demoralizuar tmerrësisht. Sa e mora si nuse unë me burrin i dhamë një hyrje në katin e tretë. Edhe ushqimet ia çonin në banesë. Nusja ka një motër në Itali që ndërhynte shumë. Unë kam tre fëmijë, kemi ardhur në 1992 në Vlorë me shumë sakrificë kemi punuar shumë kemi ndërtuar një banesë me kate dhe dhoma plazhi. Ne i dhamë shtëpi veç, por ajo që nga prezantimi që bëri bashkëshorti në banesën e saj filloi nga kërkesat. Kur djali ishte në Gjermani kjo më tha që të bëjmë një lojë sikur unë e kisha dhunuar dhe kjo të merrte urdhër mbrojtje për të përfituar. Mirëpo pasi u bë gjithë kjo unë i deklarova prokurorit se kjo gjë u bë për përfituar azil, megjithatë unë mora dënim për një vit arrest shtëpie. E kam falur djalin dhe nusen vetëm të më sjelli nipin ta takoj, kjo na ka shkatërruar të dyve si mua dhe si burrit. Unë nuk kam bërë kurrë dhunë kundër saj, por një herë e kam kapur për flokësh dhe i kam thënë moj vajzë mos më bjer në qaf”, deklaroi nëna e Alketit.

Xhaxhai i nuses së Alketit tha se nuk ka folur asnjëherë me mbesën por se ish-dhëndrri ka disa borxhe.
“Nuk kam as një numër telefoni të mbesës, nuk kam folur asnjëherë që nga dita që ka ikur ajo. Ata i kanë ndarë vet gjërat. Nuk kam komunikim, Alketi iu ka borxh disa njerëzve. Unë kam dy vite që i lutem Alketit të shlyejë borxhet, nëse unë jap të dhënat e vajzës sepse shkojnë borxhlinjtë dhe i kërkojnë borxhet. Unë jam i gatshëm të përballem me këdo për këtë gjë”, tha xhaxhai.

Arjan Caushi, avokati i Alketit doli garant se klienti i tij është një familjar i rregullt dhe nuk ka asnjë problematikë. Sipas tij, gruaja ka marrë shumë lekë kur është larguar për në Itali.
“Alketi është klienti im, më ka sjell gjithçka lidhur me situatën. Kam një prokurë që është dhënë nga Alketi për një udhëtim në Itali. Mirëpo Alketi nuk është lidhur më me bashkëshorten dhe fëmijën. Ajo është paditur nga ana ligjore për mbajtje të fëmijës dhe arratisje. Kemi pasur komunikim edhe me OPGJ, ne e kemi kërkuar edhe e kemi shpallur në kërkim. Alketi ka familje të nderuar në Vlorë, ka qenë në Tiranë i punësuar, jua garantoj që nuk ka asnjë problematikë. Njerëzit e bashkëshortes nuk kanë pranuar të përballen ligjërisht. Ne presim nga gjykata kthimin e fëmijës në familje, shteti i ka të gjithë instrumentet të kthehet ai fëmijë. Kjo është një fatkeqësi në shtetin shqiptar që i mohojnë të drejtën e prindërimit. Zonja ka marr shumë lekë nga familja dhe është larguar”, deklaroi avokati.
Alketi tha se hera e fundit që ka folur me gruan ishte në vitin 2018 dhe se i ka thënë se ka shkuar në Francë. Ai bëri apel për kthimin e të birit.
“Natën e vitit të ri të 2018 kam folur herën e fundit. Ajo më pohoi se është në Francë. Nga Italia ka ikur nga motra dhe ka shkuar në azil në Francë. Të paktën këtë e pohoi me gojën e vet. Kam bërë denoncim që më është zhdukur bashkëshortja. Ata më pohojnë se s’kemi prova, kam kërkuar të bisedoj me familjarët e saj, në këtë rast xhaxhain e saj dhe nënën pasi babai i saj nuk jeton. Por ata me thonë se nuk dimë asgjë se ku ndodhet. Kërkoj të di a janë gjallë apo jo. Kam dy vite që nuk shikoj fëmijën tim”, tha Alketi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb