TIRANË

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji përballet sot me prokurorinë për akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në të ashtuquajturën çështje “Babale”.
Salianji ka folur para nisjes së seancës duke deklaruar se pavarësisht se është politikani që ka më shumë kallëzime, procedime e padi nga ana e qeverisë, nuk do bëjë kurrë kompromis me të keqen.

Prokuroria e Tiranës e ka marr të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike për akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Më herët deputeti ka sqaruar në prokurori se, për audio-përgjimin “Babale-Xhafaj”, nuk ishte ai ndërmjetësi i takimit Olldashi-Albert Veliu (Personi që akuzoi vëllain e Fatmir Xhafës për trafik droge). Ndërsa për videon e dytë me aktorin e këtij përgjimi, Fredi Alizotin, deputeti shpjegoi se ia kishte dhënë shtetasi Florenc Hoxha.

STATUSI I SALIANJIT
Prokurorët sot duhet të ishin në të njëjtin krah, politika dhe halli i ka nxjerrë përballë!
Ne do të luftojmë edhe për ta! Për një drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin dhe jo qytetarët dhe denoncuesit!
Nuk kam qenë asnjë ditë në pushtet, por ndoshta jam politikani që kam më shumë kallëzime, procedime dhe padi nga ana e qeverisë.
Pakkush beson sot se mund të bëhet politikë me mision për të mirën e vendit. Unë besoj tek kjo!
Kur e kam nisur këtë rrugë e kam ditur qartë që nuk do bëj kurrë kompromis me te keqen.
Gjatë këtyre viteve kam denoncuar publikisht me emra konkretë, me vendndodhje duke shkuar vetë në fushat e kanabisit, me çdo fakt të dokumentuar, sa kriminelët dhe të korruptuarit.
Kam denoncuar dhe do vijoj të denoncoj çdo herë që do bindem që ka korrupsion, ka krim të organizuar, ka pushtet të inkriminuar. Asnjë intimidim apo presion nuk e ndal këtë mision për mua, jo me një farsë.
Kam ardhur sot këtu sepse kam respekt për institucionet dhe formimi im prej juristi ma imponon dyfish këtë.
Jam këtu me bindjen dhe besimin, që -siç thoshte Rudi Guliani- “ka ardhur koha që forca e ligjit të jetë së paku po aq e fortë sa krimi i organizuar”.
Duhet luftuar çdo ditë për këtë!

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: