Ishte ai “Bekimi” i Shqipërisë. Lojtari që me golin në Portugali i hapi rrugën kualifikimit të Shqipërisë në Europianin 2016, ndërsa përpara turneut në Francë u transferua te Terek Grozni. Ambientimi në futbollin dhe të ftohtin rus nuk ishte aspak i vështirë për Balajn, që u kthye menjëherë në protagonist.

“Më vjen mirë që u ambientova shumë shpejt te ekipi i ri, sepse u bëra pjesë e Terekut para Europianit. Kam dhënë një kontribut me vlerë deri më tani. Si unë në aspektin personal, por edhe ekipi jemi në pozicion të favorshëm. Shpresoj të vazhdoj kështu: të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmoj edhe ekipin për të arritur objektivat. I kam luajtur të gjitha ndeshjet, dhe kur luan nxehesh dhe përshtatesh edhe me klimën dhe të gjitha aspektet jashtë futbollit. Po ndihem shumë mirë aty”.

Bekim Balaj shënon, ndërsa Terek Grozni fluturon drejt objektivit për kupat e Europës. Me 8 gola të realizuar në këtë sezon, sulmuesi shkodran është i dyti në garën për golashënuesin më të mirë në Premierligën ruse, ndërsa për vazhdimësinë përpara portës nuk vendos kufij.

“Të them të drejtën, asnjëherë nuk i vendos vetes kufij. E rëndësishme është të shënoj, më e rëndësishme është të luaj ashtu si kam bërë, të vazhdoj me këtë ritëm, por kufij nuk i vendos vetes”. I qartë dhe me këmbë në tokë edhe kur flitet për Kombëtaren. Sipas Balajt, kuqezinjtë duhet që fillimisht të përqendrohen te rikthimi në vendin e tretë në grupin kualifikues të Botërorit 2018, ndërsa nuk preferon të bëjë premtime apo parashikime për sfidën e 24 marsit 2017 në fushën e Italisë.

“Ndoshta pas humbjes me Izraelin, ajo pritshmëria jonë e lartë për të kapur vendin e dytë u zbeh disi. Megjithatë jemi ende në valle, të arrijmë fillimisht vendin e tretë. Kemi shumë ndeshje të vështira, duke nisur nga sfida me Italinë. Për rezultat në Palermo? Në futboll është mirë të mos bësh parashikime, sepse në shumë ndeshje e kemi parë që parashikimet nuk dalin në fushë. Të japim më të mirën dhe më pas të shohim”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: