PËRRENJAS- Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, së bashku me kandidaten e ASHE për Bashkinë Përrenjas, Miranda Rira, kanë zhvilluar një takim me gratë e këtij qyteti. Qindra gra të pranishme në këtë takim kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen e mjerueshme ku është katandisur qyteti i Përrenjasit. Të pranishme në takim kanë qenë dhe deputetet Arta Dade dhe Monika Kryemadhi.

Duke shprehur siguri për fitoren e kandidates Miranda Rira, Deputeti Balla tha se për herë të parë Përrenjasi do të ketë një administratore femër, Miranda Rirën, dhe se së bashku me deputetë të tjerë do të punojnë që jo vetëm Përrenjasi por edhe zonat përreth të fillojnë të zhvillohen.

“Këto zgjedhje kanë një veçanti për qytetin e Përrenjasin sepse pas 25 vjetësh dështim të të gjithë burrave që janë marrë me Përrenjasin, më 21 qershor kemi vendosur që t’ia japim një gruaje që ta drejtojë në drejtimin e duhur. Jam shumë krenar që mazhoranca jonë, aleanca jonë kësaj radhe zgjodhi si kandidaturë Mirandën, do të punojmë me Mirandën bashkë me kolegët e tjerë deputetë të qarkut tonë për Përrenjasin, për Rrajcën, për Stravajn dhe Qukësin. Për të zgjidhur të gjitha ato probleme dhe halle që ky qytet ka. Unë nuk di nëse një qytetar i Përrenjasit mund të më thotë që në 4 vite që Bajaziti ka qenë në krye të Bashkisë ka bërë qoftë edhe një punë të vetme. Dy vite e kishte qeverinë e tij, kishte Saliun, bëri ndonjë gjë për Përrenjasin? Asgjë!”- u shpreh Balla.

Në fund Taulant Balla bëri një apel për të gjithë qytetarët e Përrenjasit: “Një gjë të vetme do t’ju thosha që ta kishte në mendje çdo familje e Përrenjasit kur të votojë në 21 qershor. Ne nuk na duhet një kryetar bashkie që ditën kur në Këshillin Bashkiak diskutohen kreditë për të pastrehët, kryetari i Bashkisë vendos emrin e vet në vend të parë. Kjo është një arsye për ta ndryshuar drejtimin e Bashkisë Përrenjas, për ta vendosur atë në drejtimin e duhur”.

Në këtë takim u shpreh qartazi mbështetja e madhe që Përrenjasi do ti japë Miranda Rirës në 21 qershor, duke e çuar në drejtimin e duhur këtë qytet.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: