Revolta qytetare përpara Kryeministrisë ka vijuar me deklarata të forta nga qytetarët në podium. Një tjetër protestues ka marrë fjalën duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama për keqmenaxhimin e fondeve të emergjencave civile, si dhe ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku për çështjen e arsimimit të saj.
Gjithashtu, ai nuk ka kursyer as kritikat e ashpra ndaj deputetëve të opozitës, duke i akuzuar se po braktisin qytetarët në shesh.
Protestuesi vuri në dukje kontrastin e madh mes mungesës së kapaciteteve shtetërore për përballjen me katastrofat natyrore dhe lehtësisë me të cilën alokohen miliona euro për evente.
“Edi Rama, po të shikosh mjetet që ka emergjenca civile, nuk ka asgjë për tërmetin. Sot hapin thesin dhe japin 4 milionë euro. Ka plot në Shqipëri me talent dhe nuk u japin asgjë. Siç bëri me diplomat false. Balluku, as shkollën e mesme nuk e ka. Këtu jemi për Edi Ramën, për ta shporrur këtë kriminel,” deklaroi ai i revoltuar.
Më tej, qytetari kujtoi disa nga aksionet më të debatuara të shembjeve të banesave në kryeqytet, duke u bërë thirrje njerëzve që të bashkohen kundër asaj që ai e quajti arbitraritet të pushtetit.
“Ky e ka quajtur Shqipërinë pronë private. Ai i nxorri tek bregu i Lumit, i nxorri në Shkozë dhe tek ‘5 Maji’, prandaj duhet të mblidhemi dhe t’i largojmë.”
