TIRANE – Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka komentuar çështjen e banerit për Çamërinë në stadium gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës, e vlefshme për Euro 2016. Sipas Idrizit, duke e ndërkombëtarizuar këtë çështje në UEFA, diplomacia greke konfirmon se çështja çame ekziston.

FJALA E PLOTE E IDRIZIT
Është e disata herë që prej kthimit nga Tirana të ministrit Kotzias, që diplomacia greke nuk lë rast pa përdorur për të konfirmuar një të vërtetë absolute. Intervistat e ministrit të jashtëm, deklarimet e fundit të zëdhënësve të ndryshëm janë dëshmitë më kuptimplote se çështja çame ekziston dhe se diplomacia greke tashmë duhet të bëjë llogaritë sesi ta administrojë futjen në axhendën dypalëshe të zgjidhjes së saj.

Kjo këmbëngulje me karakter autolezionist, është dëshmi se palës greke i kanë djegur shumë mesazhet që mori nga diplomacia shqiptare, nga qëndrimet e ministrit tonë të jashtëm, nga qëndrimet historike të kryeministrit Rama, nga Kongresi i PDIU-së, nga protesta disaorëshe e shoqatës Çamëria që krijoi dekorin historik të negociatave të saj me palën shqiptare. Për këtë arsye, të kritikuar nga shtypi nacionalist i vendit të vet, zëdhënësit e politikës së jashtme greke nuk po lënë rast pa manipuluar me këto mesazhe, për t’i mbushur mendjen opinionit publik të tyre se nuk kanë dëgjuar gjë për ekzistencën e çështjes çame.

Ne e vlerësojmë dhe faktin se pala greke kërkon t’ a adresojë çështjen e banerit që përmendte genocidin mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, tek UEFA dhe tek organizatorët francezë. Ky adresim në fakt, megjithëse nuk ka lidhje me masa sigurie si tha zëdhënësi i diplomacisë greke, i shërben ndërkombëtarizimit të çështjes çame. Na vjen mirë për këtë. Është qesharake ndërkohë të ndërlidhet Turqia me këta baner.

Meqënëse pala greke nuk guxoi ta mohonte në Tiranë, futjen e kësaj çështjeje në axhendë, nga ministri i jashtëm që e cilësoi si “çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut“, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, gjatë takimit në Universitetin e Tiranës, apo nga vetë kryeministri Rama, Presidenti Nishani dhe kryetari i opozitës Basha, ajo po mundohet ta bëjë në distancë prej Athinës:

Ndaj ne i themi dhe njëherë: Çështja çame është një çështje që pikon ende gjak, pse janë ende të freskëta gjurmët e mijëra vrasjeve, përdhunimeve, grabitjeve të pasurive, shkatërrimit të objekteve të kultit në fund të Luftës së dytë botërore. Është mashtrim i madh, mashtrimi i fundit i ministrit Kotzias, që thotë se qenkan 18 mijë shqiptarë të Çamërisë që janë larguar vetë nga frika e dënimit me vdekje. Kotzias e deklaron vetë se janë 2000 persona të dënuar nga Gjyqet fiasko të Janinës, dënime që janë parashkruar madje sipas vetë ligjit grek. E vërteta është ndryshe: ishin 1930 shqiptarë të dënuar padrejtësisht me vdekje nga gjyqe politike të sajuara nga bashkëpunëtorë të nazizmit, pasi ishin masakruar dhe dëbuar për në Shqipëri më shumë se 28 mijë shqiptarë të Çamërisë. Pra, z. Kotzias po na thotë se 3-vjeçarët e 90-vjeçarët, apo luftëtarët antinazistë të Batalionit “Ali Demi” në ELAS ikën sepse e dinin që do dënoheshin me vdekje? Me pak fjalë, ai pranon se shteti grek, i drejtuar asokohe nga EDES-istët filohitlerianë kishin planifikuar genocidin, duke dënuar çdo shqiptar, vetëm pse ishte i tillë? Thënë ndryshe, për Kotzias dhe njëmendësit e tij, trevjeçarët e kishin të paradeklaruar fatin si të dënuar me vdekje, për bashkëpunim me ushtarët nazistë, po ashtu dhe të vetmit që luftuan nazistët në atë trevë, luftëtarët e Batalionit “Ali Demi“! Ndërkohë që bashkëpunëtorët grekë të nazizmit, u respektuan në shtetin e pasluftës në Greqi! Paradoks, dyfytyrësi dhe mendësi e sëmurë genocidiale, që është fatkeqësi që dëgjohet sot!

Mohimi i genocidit, është një vrasje e dytë për viktimat e pafajshme. Çështja çame sigurisht zgjidhet brenda kuadrit të dokumenteve juridike ndërkombëtare, në raporte dypalëshe. Por nëse pala greke nuk don ta zgjidhë në kontekst dypalësh, atëherë të bëhet gati, qoftë për një front të përbashkët të gjithë viktimave të shtetit fqinjë, të pastër etnikisht, qoftë për një ndërkombëtarizim të fuqishëm të saj. PDIU, partia e katërt më e madhe e parlamentit shqiptar, nuk është një faktor margjinal, as shoqata Çamëria nuk është e tillë sepse ne përfaqësojmë qindra mijëra shqiptarë të Çamërisë. Aq më shumë ne nuk ndihemi margjinalë, por ndihemi sigurisht më të fortë kur përfaqësuesit e institucioneve tona duke respektuar rezolutën për çështjen çame, ja kanë bërë të qartë palës greke, se ajo nuk hiqet më nga axhenda e marrëdhënieve dypalëshe deri në zgjidhjen e plotë të saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: