KORÇE – Mbi 2.500 familje në fshatrat Libonik dhe Drithas në rrethin e Korçës rrezikojnë nga rënia e ndonjë epidemie, pasi prej kohësh konsumojnë ujë me fekale dhe krimba. Banorët e kësaj zone dje u shprehën për “Gazeta Shqiptare” se situata është alarmante, pasi që prej 16 vitesh nuk është bërë asnjë investim në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa shumë prej tyre kanë përfunduar në spital për shkak të ujit të ndotur.

“Situata në të cilën ndodhemi është skandaloze. Edhe pse e dimë që uji që vjen në çezmat tona është i ndotur, detyrohemi ta pimë, pasi nuk kemi mundësi ta blejmë. Në disa raste udhëtojmë me kilometra të tëra në këmbë për të mbushur ujë në një fshat tjetër. Nuk mund të vazhdohet më kështu, pasi ne të gjithë, e sidomos fëmijët, jemi në rrezik për jetën”, thanë banorë të fshatrave Libonik dhe Drithas.

Ata pohuan se mundohen që ta kullojnë ujin në napë, por kjo nuk i shpëton ata nga infeksionet.
“Prej kohësh kemi vënë në dijeni bashkinë dhe drejtorinë e Ujësjellësit, por askush nuk e vë ujin në zjarr dhe të vijë të shikojë situatën nga afër. Edhe pse i paguajmë rregullisht taksat, shërbimi që marrim është i tmerrshëm. Jemi lënë në mëshirë të fatit, Zoti të na ruajë sepse ndryshe s’kemi shpëtim”, deklaroi Fatmir Koro, banor i fshati Libonik. Ndërkohë, drejtori i Ujësjellësit të zonës, Vasil Steriovski deklaroi se është në dijeni të këtij problemi.

I kontaktuar nga “GSH”, ai u shpreh se situata është mjaft serioze dhe se po merren masa urgjente, duke mbyllur depon e furnizimit me ujë të pijshëm.

“Përveç ndotjes në depo, shkaktar i kësaj situate është edhe abuzimi i disa prej banorëve, të cilët bëjnë ndërhyrje në rrjet për vaditjen e tokave bujqësore”, – tha kreu i Ujësjellësit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: