Banorët e Lumasit i janë drejtuar sot bashkisë së Kuçovës, ku kanë protestuar për të kërkuar të drejtat e tyre. Me pankarta në duar ku shkruhej: “Projekti i Hajdarit është korruptiv”, “Mbroni natyrën nga oligarku Pëllumb Salillari, së shpejti protesta edhe në bashkinë Dimal”, “Oligarku Pëllumb Salillari, në Lumas do të jetë fundi i grabitjeve të tua” etj. banorët e Lumasit kanë protestuar në mënyrë paqësore për rreth 90 minuta përpara bashkisë së Kuçovës.

Ata e kanë cilësuar projektin si “korruptiv” për të favorizuar oligarkun Salillari, pasi siç shprehen banorët, të gjitha fshatrat e Lumasit kanë ujësjellës, ndërsa 4 fshatra që nuk kanë ujë të pijshëm nuk janë përfshirë fare në projektin e ujësjellësit.

Duke kërkuar të drejtën e tyre, banorët e Lumasit i kanë bërë thirrje përpara bashkisë së Kuçovës përfaqësuesve të IKMT Tiranë që të marra masën e menjëhershme të pezullimit të punimeve në kanionin e Sinecit, zonë e mbrojtur dhe të rehabilitojnë të gjithë zonën e dëmtuar nga punimet e këtij ujësjellësi. Banorët hedhin dyshimet se uji i burimit të Sinecit do të shfrytëzohet për qëllime e përfitime të oligarkëve dhe nuk do të shfrytëzohet për ujë të pijshëm, pasi ky ujë ka në përbërjen e tij një përqindje të lartë squfuri që mund edhe të helmojë njerëzit.

Protesta e sotme e banorëve të Lumasit i parapriu inspektimit që është planifikuar të kryhet sot në bashkinë Kuçovë dhe zonën e Lumasit nga inspektorët e IKMT-së Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb