TIRANË

Ndonëse mbrëmjen e kaluar u deklarua nga bashkia se ka nisur zhvendosja e familjeve të “Astirit” në banesat sociale dhe prishja e objekteve në Unazën e Re, banorët kanë dalë sërish sot në protestë.

Qytetarët kanë bllokuar rrugën për disa minuta dhe janë përplasur me policinë bashkiake, e cila ndodhej në vend për të garantuar vazhdimin e punimeve. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi se pati disa momente tensioni gjatë protestës por se pas negociimit të deputetëve të opozitës, banorët kanë liruar rrugën dhe ka rinisur qarkullimi.

Po kështu mjetet e rënda që ndodheshin në vend për prishjen e objekteve janë larguar, çka ka sjellë në qetësimin e situatës. Por mjetet janë rikthyer sërish për heqjen e shtyllave elektrike dhe banorët kanë dalë nga shtëpitë e tyre.

Unaza Protesta
Unaza Protesta

Deputeti i LSI-së Endrit Braimllari në një prononcim për Neës24 tha se përplasja e banorëve të Unazës së Re nuk është me Policinë e Shtetit e as me policinë bashkiake por me Edi Ramën. “Ai po i provokon dhe po i shkatërron gjënë më të shtrenjtë pronën. Rama ka qenë në këtë zonë elektorale dhe iu ka thënë që nuk do prishen këto banesa por ndërkohë nga ana tjetër vepron si një palaço kryeministër. Kryeministër pa pikë lidhje me realitetin, antikombëtar. Del hapur që Rama nuk i do qytetarët e tij”, tha Braimllari.

Ai theksoi se opozita do vazhdojë të mbështesë banorët e kësaj zone.
“Jemi në mbështetje të plotë të banorëve të Unazës së Re. Ne kemi ardhur për të mbrojtur të drejtën e tyre”, deklaroi Braimllari.

Duke iu referuar 18-vjeçarit Daniel Drobaj, deputeti i LSI tha se “ai djali që mbahet atje nën arrest, nën dhunë e egër, është një student ekslent, që e ka mbaruar me 9.8 mesataren, po proteston për të drejtën e vet”. “Këtu bie poshtë teoria e mashtruesit, që bashkëqeverisja vjen me qytetarët, nuk do i thoshte as shpellarë as zaptues. Çdo ditë e më shumë qytetarët po sensibilizohen të jenë çdo ditë e më shumë këtu”, u shpreh Braimllari.

Kjo është dita e 24-rt e protestës së banorëve të Unazës së Re kundër prishjes së banesave të tyre pa kompensim. Ata kërkojnë dëmshpërblim me çmimin e tregut për banesat dhe bizneset e tyre. Nga ana tjetër qeveria ka premtuar bonus qiraje për tre vite. Prishja e banesave bëhet për t’i çelur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Nga ana tjetër opozita ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë se projekti është një aferë korruptive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb