Disa dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut protestuan të enjten para ambasadës së Serbisë në Shkup, kundër barrikadave të vendosura në veri të Kosovës.

Protesta në Shkup u mbajt, teksa për të 20-tën ditë me radhë, disa nga rrugët e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga disa serbë lokalë.

Largimi i tyre u paralajmërua më 28 dhjetor. Pasditen e së enjtes nisi largimi i barrikadës në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit.

Protesta u organizua nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë (SHBPPSH), por u mbështet edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Protestuesit mbanin në duar flamuj të Kosovës, Shqipërisë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe pankarta me mbishkrimet “Jemi një“, “Larg duart nga Kosova”, “Pa Kosovë nuk ka shqiptar”, “Stop Barrikadave”, “Trepça e Ujmani janë pasuri të Kosovës”, e të tjera.

Kryetari i SHBPPSH-së, Shpëtim Pollozhani në deklaratën që lexoi para protestuesve bëri thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, si dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e saj.

“Kërkojmë nga përfaqësuesit ndërkombëtar rol më aktiv në ruajtjen e sovranitetit, të qetësisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve në veri të Kosovës. Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-si që të mos barazojë kontrabandistët dhe kriminelët në veri të Kosovës me veprimet legale dhe legjitime të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit në territorin e saj”, tha ai.

Për situatën në veri të Kosovës dhe nxitjen e serbëve, Pollozhani akuzoi presidentin e serb, Aleksandër Vuçiç.

“Kopja e shëmtuar ballkanike e [presidentit rus, Vladimir] Putinit është duke shkuar hapave të tij. Ai po i përdorë serbët e Kosovës si vegël për të qëndruar në pushtet, në kohën kur opozita serbe po bëhet më e fortë nga dita në ditë. Por mos të harroj Vuçiqi se shqiptarët kanë një gjuhë, një flamur, një histori të cilat do të mbrojnë deri në fund”, tha ai.
Për shkak të protestës, ministria e Punëve të Brendshme kishte rritur masat e sigurisë para Ambasadës së Serbisë në Shkup.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç.

Institucionet e Kosovës thanë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Më 28 dhjetor, Pantiçit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: