BERAT- Nga Berati, ku ka vijuar turin e takimeve me demokratë, kreu i PD Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se favorizon me tendera korruptivë miqtë e tij në kurriz të fermerëve. Duke u shprehur se Rama për 3 vite “nuk mbajti asnjë premtim, nuk bëri asgjë për bujqësinë dhe tani ju kërkon fermerëvetë marrin kredi, ndërkohë që ju kishte premtuar subvencione”.

Sipas Bashës, paratë që shkojnë në ‘xhepat e miqve të Ramës dhe në investime luksi’, do të mjaftonin për të subvencionuar çdo fermer në Shqipëri për dy vite me radhë.

“Pasi e ka telendisur, e ka lodhur, e ka varfëruar në pikën ku i ka zhytur në borxh pas borxhi, ka dalë t’iu thotë fshatarëve që me të vërtetë s’kam bërë gjë për fshatin por tani po ju hap mundësinë që të merrni kredi. Po shteti i këtij 100 milionë euro iu dha 11 njerëzve, klientë të Edi Ramës, ndërtuesit të vilës së Surrelit, ndërtuesit të vilës së Dardhës, ndërtuesit të vilës së Durrësit dhe një grusht sadrinjsh. Për 1.5 milionë fermerë nuk paska subvencione? 92 milionë të tjera i bëri rrush e kumbulla për zyra, për kolltuqe, për perde, për makina. A për fermerët nuk paska? Për fermerët shkoni e merrni kredi. Ed mashtruesi ka hapur thesin e gënjeshtrave se po vjen ora e përballjes me qytetarët dhe e di fare mirë që jo vetëm nuk ka përmbushur asnjë premtim, por iu ka rënë hasha të gjithë premtimeve që iu ka bërë duke përfshirë së fundmi edhe çështjen e importit të plehrave”, tha Basha.

Kryedemokrati solli në vëmendje programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, ku tha se ndër të tjera parashikohen rreth 100 milionë euro subvencione direkte për fermerët.

“Programi ynë për bujqësinë do të përbëjë 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku një pjesë do të shpenzohet për infrastrukturën në funksion të zhvillimit rural, kanalet vaditëse, ujitëse, rrugët e aksesit, tregjet, infrastrukturën përpunuese. Dhe 100 milionë euro do të jepen subvencione kapilare për fermerët, jo për grumbulluesit, as për importuesit një grusht njerëzish që hanë e pinë në mensën e Kryeministrit, por për fermerët si zgjidhja jonë ku djersa e fermerit, e blegtorit, e peshktarit, e bletarit të kthehet në mirëqenie për të, të kthehet në mirëqenie për familjen e tij dhe të shtojë vendet e punës”, tha Basha.

Kreu i demokratëve ka theksuar se “komunikimi, përfshirja dhe bashkëpunimi me qytetarët, një hapje e re e PD drejt vlerave dhe prurjeve të reja që ndajnë të njëjtat vlera me demokratët, bashkimi i të gjithë faktorëve dhe kontributeve të partisë dhe aleanca më e gjerë qytetare me të gjithë dhe këdo që ndajnë shqetësimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin, luftën kundër drogës dhe krimit, janë çelësi i përballjes së madhe popullore dhe fitores ndaj kartelit të drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: