TIRANE

Kreu i PD, Lulzim Basha ka përcjellë nëpërmjet një statusi në FB, një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos.

Duke renditur arritjet shkencore dhe kulturore me anë të veprave të tij, Basha shton se në politikë Moikom Zeqo mbetet modeli i politikanit aktiv dhe serioz në kohën kur ishte deputet i PS.

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Moikom Zeqo, eruditi i letrave shqipe u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas një vepër të lexuar dhe të vlerësuar nga shqiptarët anekënd botës.

Me seriozitetin, pasionin për shkencën dhe kulturën, autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, mbi historinë e artit, si dhe skenarëve për filma, do të mbahet mend ndër breza si një nga personalitetet e spikatura të kulturës sonë kombëtare.

Angazhimi i tij në politikë si deputet i PS ishte dhe mbetet modeli i politikanit aktiv dhe serioz për përfaqësimin e qytetarëve.

Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjarët e Moikom Zeqo, miqtë dhe shokët e tij që do ta kujtojnë gjithmonë me mall dhe respekt mjeshtrin e letrave dhe historisë shqiptare. U prehtë në paqe!

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb