TIRANË- Në nisje të mbledhjes së Grupit Parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Basha e ka quajtur qeverinë cinike, të pabesë dhe të pafytyrë me zgjedhësit, pasi sipas tij nuk ka mbajtur premtimet e dhëna dhe nuk ka zbatuar kontratën e firmosur me qytetarët shqiptarë. Numri një i demokratëve tha se të gjithë deputetët e PD-së kanë përveshur mëngët dhe janë gati të përballen me qeverinë në nisjen e sesionit të ri parlamentar. Basha deklaroi gjithashtu se nga kjo javë, Partia Demokratike, deputetët, drejtuesit, duke nisur nga ai vetë do të ndërmarrin një turn, siç u shpreh ai në çdo lagje të Shqipërisë, për tu njohur me hallet e qytetarëve dhe për të gjetur zgjidhje.

“Qeveria ka braktisur bllokun e premtimeve elektorale, ka përqafuar pseudo-zgjidhje që si ka pasur pjesë të kontratës me zgjedhësit. Është cinike, e pabesë, e pafytyrë me zgjedhësit. Vetëm një qeveri e tillë, guxon të bëjë krejt të kundërtën e asaj që u ka premtuar qytetarëve. Rasti më tipik, rritja e çmimit të energjisë. Terrori që po mbjell tek mjekët dhe infermierët”, tha Basha.

Ai premtoi se Partia Demokratike do të jetë e fortë për të qenë përballë qeverisë dhe dyshes Rama-Meta për ti dhënë shpresë qytetarëve për të ardhmen. “Ne do të jemi e duhet të jemi, opozitë me fortë. Do qëndrojmë fortë në tabanin e opozitarizmit. Opozita, institucion i pazëvendësueshëm i demokracisë. Kantieri i dyshes Rama-Meta i propagandës dhe Shqipërisë virtuale punon si asnjëherë tjetër. Vendi ka forcat e së mirës, që as tremben, as shiten dhe as mashtrohen. Janë qytetarët e lirë, mediat e lira, organizatat joqeveritare, Partia Demokratike, e cila është instanca bazike e lirisë në këtë vend. Jemi ne opozita që i dalim përballë. Jemi kontrolli, denoncimi i së keqes, jemi shpresa, e nesërmja shumë më e mirë”, deklaroi numri i një i demokratëve.

Basha tha se deputetët e PD-së janë përgatitur për sfida të shumta, duke përmendur dekriminalizimin si një prej tyre, ndërsa u shpreh skeptik për realizimin e angazhimit të ndërmarrë nga kreu i qeverisë.

“Deputetët janë përveshur në nisje të këtij sesioni parlamentar. Dekriminalizimi, kauza jonë për të promovuar Shqipërinë e vlerave. Shqipërinë e virtyteve më të mira, që nuk është rrëzuar dhe nuk rrëzohet kurrë. Ne reaguam, ne u përballëm, ne sakrifikuam. Kush mund ta bënte tjetër veç nesh. Miratuam një rezolutë konsensuale me asistencë dhe garanci të ndërkombëtarëve. Ne jemi promotorë të kësaj rezolute, për të filluar menjëherë punën pa humbur kohë. Kryeministri Rama ka bërë përpjekje tu japë sinjale subjekteve të dekriminalizimit se “Asgjë nuk do të ndodhë”. Jemi shqetësuar me këto qëndrime. Rezoluta është nënshkruar nga dy palë dhe zbatimi kërkon angazhimin e dy palëve. Duam që maxhoranca të zbatojë angazhimin që ka marrë. Shpresojmë që mos të bëjë lojë të dyfishtë. Ne nuk do të ndalemi”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së tha se “dekriminalizimi është kusht për sigurinë, mirëqenien dhe integrimin e vendit”. Madje ai deklaroi se krimi në vend ka marrë përmasa të frikshme, duke përmendur këtu, trafikun me avion të drogës dhe laboratorin e kokainës. Basha tha se krimi nuk mund të ketë aleat më të mirë se qeverisjen propagandistike.

“Ne nuk njohim kauzë më të madhe se integrimin e vendit në Europë. Me përmasat që ka marrë është naivitet të mendosh se kriminalizimi është një aksident, një rastësi. Lidhur ngushtë me kauzën e dekriminalizimit është beteja jonë me krimin e organizuar. Krimi po avancon çdo ditë, pavarësisht mburrjeve të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Sa më të mëdha mburrjet, aq më shumë rritet krimi. Sinjalizimi i policisë gjermane, çoi në zbulimin e laboratorit të kokainës. Krimi pra nuk ishte zhbërë po kishte marrë përmasa të frikshme. Kultivim të kanabisit ka pasur dhe ka, por trafik droge me avion dhe laborator kokaine ka ndodhur vetëm në këtë qeverisje. Krimi nuk mund të ketë aleat më të mirë se qeverisjen propagandistike”, tha kreu i PD-së.

Ai deklaroi se “Fabrika e kokainës në Elbasan, është metastaza e shumë krimeve, ekonomike e shoqërore”. “Falënderojmë policinë gjermane, falënderojmë Prokurorinë e Krimeve të Rënda, oficerët e Policisë së Shtetit. Si opozitë inkurajojmë hetimin e këtij krimi shumë të rrezikshëm. Kemi besim se ligji do të veprojë dhe nuk do të ndalet. Për ne krimi në këto përmasa dhe trajta nuk është thjesht shprehje e dështimit dhe paaftësisë së disa strukturave policore por është produkt i vetë qeverisjes Rama-Meta. Siç thotë populli ky stan këtë bulmet ka. I kemi bërë thirrje qeverisë të distancohet nga krimi. Retorikës së famshme të kontrollit të territorit i ka dalë boja. Çfarë kontrolli ka kur bandat veprojnë në mes të kryeqytetit. Shtetformimi që po mburret Rama se po bën është një farsë”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së është ndalur tek gjendja ekonomike e vendit, për të cilën tha se është “ku thërret qameti” dhe ka deklaruar se për të qenë më afër qytetarëve dhe halleve të tyre, Partia Demokratike do të zbresë në terren, lagje më lagje të Shqipërisë. Ai nuk ka humbur rastin të akuzojë për investime korrupsioni kreun e qeverisë.

“Gjendja ekonomike e qytetarëve sot është me e keqe se kurrë, ku thërret qameti, së paku në 10-vjeçarin e fundit. Rama vazhdon të varfërojë qytetarët dhe të zhysë ekonominë. Kemi ftuar mijëra qytetarë dhe do të vazhdojmë të sjellim mijëra të tjerë përpara Kryeministrisë. Korrupsioni me fondet publike, po del në pahun e kohës si vesi endemik i dyshes Rama-Meta. Ku shkojnë paratë taksave të rritura, paratë e mbijetesës, e rripit të shtrënguar në maksimum të shqiptarëve. Qeveria hesht ose mundohet të fshihet pas mjegullës propagandistike. Nuk po bëhen vetëm investime luksi, por edhe investime korrupsioni. Duke filluar nga kjo javë unë edhe të gjithë ju, do të nisim një tur takimesh në mbarë vendin për të ndarë me qytetarët shqiptarë këto shqetësime, për të gjetur zgjidhje. Qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje. Shqipëria reale thirrja jonë. Deputetë, zyrtarë, drejtues të PD-së, e kemi detyrë kryesore të jemi pranë tyre, për të njohur hallet e qytetarëve. Për të denoncuar braktisjen e tyre nga qeveria. Për të përgatitur zgjidhjet për të mbledhur forcat dhe për nisur bashkimin e madh të opozitës dhe qytetarëve”, përfundoi Basha.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: