TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike priti sot në takim Kryetarin e Parlamentit suedez, Urban Ahlin dhe delegacionin që e shoqëronte. Basha i shprehu zotit Ahlin mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por gjithashtu i shprehu shqetësimin për hapat pas, që sipas tij, po bëhen nga mazhoranca lidhur me standardet që kërkon më tej rruga e integrimit.
Kryetari Basha tha se “qeveria nuk po vlerëson përgjegjësitë që mbart ky proces, dhe fatkeqësisht po i zhbën standardet demokratike, të shtetit të së drejtës, konsolidimit të institucioneve të pavarura, shkeljes arbitrare të të drejtave të njeriut, shkatërrimin e administratës publike dhe nëpërkëmbjen e të drejtave të pronës së qytetarëve”.
Basha shprehu shqetësimin për situatën e krimit të organizuar dhe trafiqeve të lëndëve narkotike që sipas tij, po vërshon në Shqipëri, duke kërcënuar rendin publik, jetën, familjet dhe pronat e qytetarëve.
Partia Demokratike bën të ditur se kryetari i Parlamentit suedez shprehu keqardhjen për gjendjen e tensionuar politike në Shqipëri dhe shqetësimin e thellë për situatën e kriminalitetit. Ahlin tha se Bashkimi Europian duhet të gjejë mënyrën për ta adresuar menjëherë çështjen e krimit të organizuar në Shqipëri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: