Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar një fasoneri në qytetin verilindor të Shkodrës. Basha deklaroi se me planin e PD biznesi do të çlirohet dhe do të rriten pagat apo do të shtohen vendet e punës.

Basha akuzon Ramën se premton mrekullira, ndërsa për vete garanton se qytetarët nuk do të dëgjojnë alibira, por nëse nuk arrin të mbajë premtimet brenda mandatit të parë, atëhere nuk do të kërkojë mandat të dytë.

Ai i bëri thirrje shkodranëve që më 25 prill të votojnë për ndryshimin.

FJALA E LULZIM BASHËS

Së pari, ju falënderojë për mikpritjen! Zoti Ferdinand dhe të gjithë ju zonja të nderuara, ju uroj punë të mbarë, ju uroj me shëndet dhe në familjet tuaja! E dyta, ajo që tha zoti Ferdinand, ajo që tha zoti Megusha, atë që kam dëgjuar nga çdo sipërmarrës i ndershëm në këtë vend; na jepni mundësinë t’i ruajmë, na jepni mundësi t’i shtojmë vendet e punës, na jepni mundësi t’i rrisim pagat punonjësve në mënyrë që të sigurojnë një pagë dinjitoze, të sigurojnë mirëqenien, jo thjeshtë mbijetesë. Si mund të arrihet kjo? 8 vite me radhë, Edi Rama dhe qeveria e tij kanë premtuar mrekulli. Kanë premtuar që do ta ulin taksën për 97% të shqiptarëve, ku në fakt taksat vetëm janë rritur. Premtoi se do ta ulte çmimin e energjisë, ju jeni të gjithë familjare, kryefamiljare dhe e dini që çmimi i energjisë është rritur. Premtoi se do të ulte çmimin e naftës, e rriti 240 lekë për litër karburantin. Pikërisht, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut shkojnë e blejnë njerëzit naftën sepse nafta në Shqipëri është e treta më e shtrenjta në botë pas Singaporit dhe të Suedisë. A e imagjinoni, vendi më i varfër i Ballkanit siç na ka katandisur kjo qeveri 8 vite, e paguan naftën më të shtrenjtë në botë! E pra, si do të mundësojmë ne që realisht të rriten pagat dhe të rritet mirëqenia. Ne e kemi në planin tonë. Unë e kam shpallur para dy vitesh ne Kongresin e Sindikatave që plani jonë, është rritja e pagës minimale në 300 euro minimumi në muaj, që është 360 mijë lekë. Po paga nuk rritet me dekret, zonja të nderuara! Paga nuk e rrit kryeministri! E rrit ekonomia. Dhe që ta rrisë ekonomia, kapitenët e ekonomisë, sipërmarrësit shqiptarë duhet që të kenë mundësinë që biznesin e tyre ta zhvillojnë në mënyrë të tillë që t’ju mundësojë rritjen e pagës. Prandaj ne kemi një planë, jo thjesht një premtim bosh. Kollaj është të bësh premtime bosh, 300 mijë vende pune. 97% e shqiptarëve do paguajnë më pak taksa, dhe ja ku jemi pas 8 vitesh. Jo 300 mijë vende pune, po 400 mijë e kusur shqiptarë kanë ikur në azil, bijtë tuaj, bijat tuaja, që unë e di ju dhëmbë në zemër, çdo nëne i dhembë në zemër. Unë me studime kam qenë dhe e di se çka hequr nëna ime jo më të ikësh në kushte dëshpërimi nga shtëpia dhe familja. Atëherë si rriten pagat? Rriten pagat kur ndihmohet  ekonomia. Si ndihmohet ekonomia? Në radhë të parë kur i trajton të gjithë njësoj para ligjit jo 5 oligarkë si të nënës që hanë e pinë gjithë ditën e  natën me kryeministrin dhe vjedhin pasuritë e shqiptarëve dhe 99% e sipërmarrësve trajtohen si të njerkës. Barazi para ligjit do të thotë konkurrencë, konkurrencë e ndershme. Së dyti e ndihmon sipërmarrjen kur e bënë konkurruese me rajonin, prandaj do e vendosim taksën e sheshtë 9% për bizneset prodhuese nga 15% që është sot. Taksat e sigurimet shoqërore do ta zbresim në 18% . Çmimin e karburantit do ta zbresim duke e hequr taksën Rama 240 lekë për litër. Çmimin e energjisë për industrinë prodhuese po kështu do ta ulim në mënyrë që prodhimet tona të jenë konkurruese e të shiten, e të kenë mundësi të marrim porosi eksportuesit siç jeni ju industri që i shërben eksportit dhe jo ta marri porosinë dikush tjetër që e ka energjinë më të lirë se sa në Shqipëri e të iki biznesi në një vend tjetër në vend që të vij këtu. Me gjitha këto masa ne do bëjmë të mundur që sipërmarrja shqiptare të ketë më shumë kapital për të investuar, më shumë mundësi për të marrë unë, për të zhvilluar biznesin. Sot ju ka ardhur uji deri në fyt, nesër me këto masa ne do ta çlirojmë biznesin nga kjo peshë e rëndë dhe e pa drejtë  që i ka vënë qeveria e Edi Ramës për 8 vite. E vetmja gjë që kërkojmë nga biznesi është që ta ndaj këtë përgjegjshmëri që ne po tregojmë ndaj biznesit mu punëmarrësit, me ju.  Dhe në këtë moment po na lind e drejta dhe përgjegjësia para jush. Na lind e drejta dhe përgjegjësia para jush që ti themi biznesit duam pagën minimale 300 euro në muaj sepse në këtë moment biznesit i dalin llogaritë. Kur i ka të gjitha këto lehtësira i dalin llogaritë edhe të kursejë, edhe të fitojë dhe të investojë. Dhe unë e di fare mirë që shpirti i biznesmenëve të vërtetë shqiptarë është i bardhë dhe provë për këtë ka qenë pandemia se dhe në pandemi Shqipëria ishte e fundit, Maqedonia e Veriut po jep paketën e pestë, Kosova ka ndarë lekë për sipërmarrjen, kurse këtu, megjithëse mori mbi 1 miliard e kusur vetëm 100 milionë ndau për njerëzit. Ku u zhdukën paratë? E dini fare mirë, edhe tenderët e ushqimit që bëri Ministria e Mbrojtjes ishin të korruptuar, tani ka filluar prokuroria hetimet. Pra sipërmarrja shqiptare edhe në ditët më të zeza e tregoi shpirtin e bardhë. Unë e di edhe kur nuk ua thonë që sipërmarrës si Ferdinandi e shumë të tjerë kanë paguar lekë nga xhepi për të mos hequr punëtorë nga puna. Nuk ishte detyra e tyre, ishte detyra e shtetit se ka 30 vjet që paguajnë, kanë 30 vjet fasonet paguajnë mesatarisht 30 milion Euro në muaj taksa, gjithë fasonet e Shqipërisë dhe një vit që kishin nevojë për ndihmën e shtetit jo për veten e tyre por për ju, për t’ju mbajtur ju në punë, shteti nuk iu përgjigj sepse nuk është shteti juaj, është shteti i Edi Ramës dhe i një grushti horrash që e kanë marrë peng. Ndaj 25 prilli është ditë çlirimi për Shqipërinë, është ditë ndryshimi për Shqipërinë dhe është dita kur qeveria që ju do të votoni do t’i japi mundësi biznesit me këto taksa që të punësojë më shumë dhe të punësuarit t’i paguajë me paga dinjitoze që të garantojnë mirëqenie, jo thjeshtë mbijetesë. Por ne nuk do ndihmojmë vetëm sipërmarrjen, do ndihmojmë dhe familjen. Për 300 KË e parë në muaj ne do ta zbresim çmimin e energjisë në mënyrë që të mos mbetet familja shqiptare pa bukë, pa ujë, pa drita në shekullin 21. Ne do të ndihmojmë familjet shqiptare, nuk do të ketë bijë dhe bir shkodrani të mbetet pa shkollë të lartë sepse familja s’paguan dot tarifat e universiteteve. Kush vjen nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të ketë 100% subvencionim të tarifës për të dyja nivelet edhe për ciklin e bachelor edhe për ciklin e master në universitet. Ne do ti ndihmojmë familjet shqiptare, në veçanti familjet e reja. Për çdo të porsalindur nga 1-5 vjeç ne do të kemi një bonus për çdo bebe muaj për muaj. Muaj për muaj, sepse familja shqiptare po tkurret , po bie numri, kanë frikë të martohen e të bëjnë fëmijë se s’kanë mundësi ekonomike. Do të ndihmojmë çiftet e reja. 20 mijë çifte do të përfitojnë pagesën e plotë të interesave nga shteti kur marrin hua për të blerë një banesë për të themeluar familjet e tyre. Tani një pyetje që e ngre kundërshtari, që thotë ku do i gjeni lekë. Te buxheti do ti gjejmë lekët. Aty ku i gjen lekët Edi Rama për t’ia dhënë lekët oligarkëve. Aty ku i merr Edi Rama lekët tuaja për tia dhënë inceneratorëve, mafies së plehrave. Aty ku i grabit lekët dhe bën tendera pa garë. Lekët tuaja, lekët e taksave tuaja që i paguani sa herë blini një shishe ujë,  paguani TVSH-në, sa herë që blini një bukë paguani TVSH-në. Ato lekë ky i merr dhe ka 8 vjet që ja jep një grushti njerëzish që i ka pasuruar , i ka bërë sheikë ndërkohë që gjithë populli është varfëruar. Ato lekë të taksave tuaja ne do t’jua kthejmë ju, do jua kthejmë në këto forma që jua thashë dhe në investime të tjera që do ndihmojnë të përmirësojmë jetën tuaj. Hap pas hapi, ditë pas dite, orë pas ore jua jap fjalën  që nuk do të rresht asnjë minutë që këto angazhime dhe këto zotime që janë pjesë e një plani, nuk janë premtime boshe, plan që ka marrë 2 vjet për tu hartuar, sepse është hartuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, nuk do të rresht ditë pas dite, orë pas ore deri sa të vijë dita ime e llogarisë para jush dhe kur të vijë dita e llogarisë pas 4 vjetësh nuk do të vij siç vjen ky me alibira pas 8 vjetësh dhe thotë, kisha 8 vjet, kisha gjithë pushtetet më shumë pushtete se çdo kush tjetër që nga koha e Enver Hoxhës, por jo s’bëja dot këtë s’bëja dot atë, s’ka bërë asgjë, asnjë premtim s’ka mbajtur, ka dështuar në çdo fushë. Nga unë s’do të dëgjoni alibira pas 4 vitesh nëse s’kam mbajtur angazhimet që marr sot para jush, para bashkëshortëve tuaj, para fëmijëve tuaj, para sipërmarrësve shqiptarë, para të gjithë shqiptarëve unë nuk kërkoj mandat të dytë. Se kështu besoj unë duhet të ndërtohet politika. Është marrëdhënie besimi midis qytetarit dhe përfaqësuesit të qytetarit. Se në fund të fundit ne duhet të jemi përfaqësuesit tuaj dhe unë do të jem përfaqësuesi juaj, ne duhet t’ju shërbejmë ju dhe jo vetes sonë. Ky është ndryshimi themelor me atë që kemi pasur 8 vite dhe me atë që do të keni pas 25 prillit. Ndaj ju ftoj të gjithave të votoni me 25 prill për ndryshimin, të bëheni bashkë për ndryshimin se kështu do fitoni ju, do të fitojnë familjet tuaja, do të fitojë Shkodra, do të fitojë gjithë Shqipëria. Ju falënderoj nga zemra. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Faleminderit nga zemra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb