Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se në disa vende të Bashkimit Evropian (BE) ka probleme të caktuara kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe se sulmet islamofobe dhe antisemitike janë në rritje.

Gjatë vizitës së tij në Slloveni, Çavuşoğlu u takua me homologun e tij slloven, Anže Logar, ku më pas ata mbajtën një konferencë për media.

Çavuşoğlu theksoi se takimi me homologun slloven dhe takimet e delegacioneve ishin jashtëzakonisht produktive, si dhe po ashtu ishte një mundësi për bisedime për avancimin e bashkëpunimit bilateral.

“Ndajmë një qëndrim të përbashkët kur bëhet fjalë për thellimin e marrëdhënieve”, tha Çavuşoğlu.

Kryediplomati turk theksoi se ata po ashtu diskutuan mënyra për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur vëllimin e tregtisë bilaterale.

“Vëllimi i bashkëpunimit dypalësh aktualisht ka tejkaluar dy miliardë dollarë, por ekziston një disbalancë e caktuar kur bëhet fjalë për Turqinë, prandaj është e nevojshme të arrihet një ekuilibër. Ne duhet të punojmë së bashku. Gjithashtu diskutuam që kjo çështje të diskutohet në takimin e Këshillit të Përbashkët Ekonomik, i cili do të mbahet në ditët në vijim”, tha Çavuşoğlu.

Ai shtoi se diskutuan për zgjerimin e mallrave, investime më të mëdha në Slloveni dhe si të arrihen investime më të mëdha sllovene në Turqi.

Më pas, falënderoi Slloveninë për besimin e dhënë në ndërmarrjet turke dhe kujtoi se kompanitë turke kanë fituar tenderë të rëndësishëm në ditët e fundit. Ai gjithashtu i uroi fat Sllovenisë, e cila do të marrë kryesimin e BE-së në periudhën e ardhshme.

Çavuşoğlu diskutoi me Logar për aktivitetet prioritare lidhur me kryesimin e Sllovenisë. “Dua të theksoj se si Turqi edhe pse nuk jemi vend anëtar, ne jemi një vend negociues. Në atë kontekst, dua të them se ne do t’i mbështesim këto prioritete”, tha Çavuşoğlu.

Çështjet në lidhje me jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe ngjarjet në Libi, Siri dhe Afganistan u diskutuan gjithashtu.

Ai veçanërisht u përqendrua në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se Turqia dhe Sllovenia ndajnë shqetësime dhe interesa në Ballkan.

“Bashkëpunimi ynë i ngushtë me Slloveninë kontribuon në prosperitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha Çavuşoğlu.

Ai shtoi se rëndësia e politikave gjithëpërfshirëse në rajon u theksua dhe se ato nuk mbështesnin ndonjë retorikë separatiste bazuar në fe apo komb.

Çavuşoğlu gjithashtu iu përgjigj pyetjeve në lidhje me vizitën në Turqi më 6 prill të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Për fat të keq, kriza e protokollit e delegacionit të BE-së hodhi në hije bisedimet tona produktive”, tha Çavuşoğlu.

Ai beson se duhet të ndërmerren hapa konkrete kur bëhet fjalë për rishikimin e Unionit Doganor, dialogut të nivelit të lartë, udhëtimit pa viza, luftës kundër terrorizmit dhe migrimit.

Çavuşoğlu theksoi se Turqia ka ndërmarrë reforma të rëndësishme kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe kujtoi se presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdoğan, së fundmi ndau me publikun Planin Aksional për të Drejtat e Njeriut.

Ai u përqendrua edhe në pritjet e Turqisë nga BE-ja mbi këtë çështje.

“Çështja e të drejtave të njeriut, si në institucionet e BE-së ashtu edhe në vendet anëtare, po bëhet një temë prioritare sepse problemet kanë filluar të formohen në këtë fushë. Ne shohim që sulmet islamofobe dhe antisemitike janë në rritje në shumë vende perëndimore. Në të njëjtën kohë, të drejtat e refugjatëve dhe pakicave po shkelen. Ne duhet të luftojmë së bashku kundër kësaj”, tha Çavuşoğlu.

I pyetur në lidhje me vendimin e Turqisë për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit, Çavuşoğlu tha se nuk është çështja në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të grave. Ai kujtoi se dokumenti i përmendur provokoi diskutime në shumë vende, ndërsa gjashtë anëtare të BE-së nuk e miratuan atë.​​​​​​​//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb