Nga: ANISA AGASTRA*
Në të përditshmen tonë secili nga ne, në komunitetin ku jeton, përballet me probleme ekonomike, sociale, si dhunim banese, ushtrim dhune fizike apo psikologjike, vjedhje makine, etj.
E në të gjitha këto raste, gjëja e parë që mendojmë të bëjmë e për të cilën na këshillojnë edhe të tjerët është t’i drejtohemi organit të policisë, duke denoncuar rastin apo problemin. Shpeshherë, qytetarit i ofrohet shërbimi i duhur, duke iu mundësuar menjëherë depozitimi i denoncimit të rastit e më pas ndjekja e tij, pa përjashtuar edhe rastet e neglizhencës ndonjëherë. Por a marrin zgjidhje të gjitha, në kohën e duhur? Kjo mbetet në diskutim.
Policia e Shtetit është institucioni shtetëror, që shërben për mbrojtjen e rendit publik e të individit, si dhe për garantimin e zbatimit të ligjit, pra thënë më thjesht është institucion në shërbim të publikut, është manifestimi më i dukshëm i autoritetit shtetëror që kryen detyrat më të dukshme, të menjëhershme dhe imponuese për të garantuar sigurinë, si të individit, ashtu edhe të komunitetit në tërësi.
Duke qenë se në vendin tonë gradualisht po ndiqen hapat demokratikë, është parë gjithnjë e më shumë i nevojshëm bashkëpunimi i institucioneve shtetërore me komunitetin në shërbim të qytetarit në çdo fushë. Një ndër to është edhe policia, e cila duhet t’i përgjigjet komunitetit në tërësi dhe të përpiqet të ofrojë një shërbim të shpejtë dhe në mënyrë të paanshme e të barabartë. Në mënyrë që të arrihet ky qëllim, duhet të funksionojë bashkëpunimi i ndërsjellë midis organeve të policisë e qytetarëve dhe më pas rritja e besimit të qytetarit tek organet e policisë.
Kjo tematikë sociale është mjaft e mprehtë për t’u trajtuar, pasi prek masivisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë qytetarët e një vendi. Si qenie humane kemi nevojë për të plotësuar nevojat tona, nga ato bazike deri te nevoja për siguri dhe pushtet.
Duke u ndalur paksa në një lidhje kronoligjike të historisë, në vendin tonë kanë ndodhur ndryshime në rendin politik dhe ekonomik që pas periudhës së sistemit totalitar. Kjo ka ndikuar që të përfshihemi në një klimë tranzicioni, ku asgjë nuk është më e sigurt dhe e gatshme, ku liria individuale konsiston në luftën e ashpër për të mbijetuar dhe për të vendosur role dhe statuse në bazë të parimit “kush është më i fortë ka më shumë pushtet dhe mbijeton e kush është më i dobët i duhet të jetojë mes rezistencës dhe rënies”. Faktorë të shumtë, si ballafaqimi me “të renë” në dimensionin politik dhe ekonomik dhe problematikat e ndryshme sociale që erdhën si rrjedhojë e tyre prodhuan në mënyrë graduale atë që qytetarët e vendit tonë nuk e njihnin më parë në sistemin e kaluar, e që është “pasiguria dhe mungesa e besimit” në të gjitha fushat e jetës.
Kështu, një ndër problematikat sociale që ka nevojë për vëmendje, shqyrtim dhe analizë është pikërisht raporti i besimit të individit me institucionin, pasi përveç të tjerash, është edhe ndër shtyllat më të rëndësishme të demokracisë.
Kjo është një temë e prekshme, pasi mjafton të lexosh gazetat e përditshme apo të dëgjosh edicionet e lajmeve dhe në çdo moment informohemi se kanë ndodhur ngjarje të tilla, si vrasje, krime, aksidente, vjedhje, sherre për motive të ndryshme e konflikte, të cilat kanë nevojë në çdo moment për ndërhyrje dhe veprim nga ana e policisë. Por, që gjithçka të funksionojë siç duhet, duhet të ketë bashkëveprim të qytetarëve dhe specialistëve të policisë, pasi motoja e ditëve të sotme është që “bashkëpunimi sjell fuqinë dhe eficiencë”. Në mënyrë që bashkëpunimi të jetë i suksesshëm, duhet që paraprakisht të ekzistojë besimi reciprok. Kjo është e mundur të realizohet me anë të disa strategjive të hartuara apo implementimit të projekteve për të rritur më shumë besimin dhe për të prodhuar një bashkëpunim funksional dhe të dyanshëm mes qytetarit dhe efektivëve apo specialistëve të policisë. Albert Kamy citon se: “Polici është në qendër dhe në kryqëzim të të gjitha problemeve ekzistenciale të njeriut modern” dhe si i tillë, roli i tij është thelbësor në mirëqenien e komunitetit në tërësi, ashtu edhe të atij vetë.
Duke u futur më në brendësi të temës, Policia e Shtetit në Shqipëri ka disa detyra parësore, siç janë ruajtja e qetësisë publike, ligjit dhe rendit, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të individit, veçanërisht e jetës, parandalimi dhe zbulimi i krimit, reduktimi i frikës, dhënia e ndihmës dhe shërbimeve për publikun. Përparimi drejt policimit demokratik arrihet kur ka një ndryshim “nga një qasje e orientuar drejt kontrollit në një qasje më të orientuar drejt shërbimit”. Kjo do të thotë se një polici demokratike i zhvillon dhe i zbaton veprimtaritë e saj në përputhje me nevojat e publikut dhe të shtetit, duke i dhënë përparësi ndihmës ndaj anëtarëve të komunitetit që kanë nevojë për të, duke promovuar mbrojtjen ligjore dhe ndjenjën e sigurisë. Besimi dhe bindja e publikut për këtë institucion janë parakushte për një policim efektiv, pa të cilin këta të fundit nuk do të jenë të gatshëm të denoncojnë krimet dhe t’u japin organeve të shërbimit policor informacionin e nevojshëm për zgjidhje të suksesshme të problemit.
Në mënyrë që të ekzistojë besimi i qytetarit tek institucioni i policisë është e nevojshme që të plotësohen dy kushte:
Së pari, policia duhet të demonstrojë profesionalizëm dhe integritet, duke iu përmbajtur kodit të etikës profesionale. Përballë burimeve të kufizuara dhe nevojës për të vendosur përparësi për veprim, policia duhet të përdorë gjykimin e saj në zbatimin e ligjit. Ky gjykim “është i lejueshëm dhe i dëshirueshëm vetëm kur është në interes të drejtësisë” dhe në përputhje me direktivat dhe kodin e sjelljes profesionale. Kështu, ajo duhet të shfaqë një shkallë të lartë integriteti në kryerjen e detyrave, të jetë e vullnetshme t’u rezistojë tundimeve për të abuzuar me pushtetin policor dhe t’u përmbahet këtyre vlerave; të jetë e aftë në kryerjen e detyrave në mënyrë të ndershme, të paanshme dhe efikase, duke u kujdesur vetëm për interesin publik dhe të njerëzve të cilëve u shërben.
Kështu, punonjësit e policisë duhet të shmangin konflikte të interesit dhe nuk duhet të shfrytëzojnë pozicionin e tyre për përfitime personale apo familjare apo për të afërmit, miqtë dhe persona ose organizata me të cilat ata kanë ose kanë pasur lidhje. Në kryerjen e detyrave të tyre, zyrtarët e zbatimit të ligjit duhet të respektojnë dhe të mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe të respektojnë e të garantojnë të drejtat themelore të njeriut, si dhe të drejtat civile e politike. Gjithashtu, në përputhje me parimin demokratik të barazisë përpara ligjit, policia ka si detyrim të mbrojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët, pa diskriminim dhe dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, feje, opinioni social, origjine kombëtare ose etnike, prone, lindjeje ose statusi tjetër.
Së dyti, qytetarët dhe komuniteti duhet të sensibilizohen dhe t’u brendësohet ndjenja e besimit dhe e bashkëpunimit. Ata duhet të edukohen në mënyrë graduale që të bashkëpunojnë me policinë, pasi kjo i shërben mirëqenies së tyre dhe u jep atyre vlerë dhe jo antivlerë, siç shpesh perceptohet. Frika nga të etiketuarit si “spiun” apo e përfshirjes në rrjete kriminale apo përfshirja në brendësi të ngjarjeve të ndryshme shpesh i step qytetarët që të bashkëpunojnë me forcat e rendit. Nga ana tjetër është edhe mungesa e besimit që mund të kenë kundrejt tyre për të zgjidhur ose jo çështje të caktuara.
Këta faktorë duhet të minimizohen në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mësohen të jetojnë në një kulturë tjetër të të menduarit, sjellurit dhe vepruarit e cila duhet të jetë më miqësore, më bashkëpunuese, më e qetë, më sociale dhe me më shumë besim. Pa ndërgjegjësim të qytetarit për të kuptuar vlerën e ndërtimit të besimit dhe më tej arritjen e aktit të një aktiviteti proaktiv dhe reciprok nga të dyja palët nuk mund të arrihet asgjë nga sa u tha më lart. Prandaj, roli i qytetarit aktiv dhe të zhvilluar gjithnjë e më shumë me një mendësi të hapur dhe të prirur për besim e bashkëpunim është faktor kyç në ndërtimin efektiv të raportit të besimit reciprok.
Në kuadër të kësaj, një ndër strategjitë më efektive që synon zgjidhjen e problemeve sociale në një komunitet është “Qasja e policimit me bazë në komunitet”, e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit midis policisë dhe popullsisë dhe identifikimin e zgjidhjen e shqetësimeve të qytetarëve. Policimi në komunitet krijon një partneritet ndërmjet komunitetit dhe policisë, për të mundësuar një analizë të përbashkët të problemeve, për të përcaktuar rrënjët dhe shkaqet e këtyre problemeve, për të identifikuar zgjidhje të mundshme, bazuar në konceptin e ndarjes së përgjegjësisë për të ruajtur sigurinë në komunitet. Në këtë kuadër, ka një angazhim për të parandaluar incidentet, duke mos u ndalur vetëm në reagimin pasi ato kanë ndodhur. Edhe në teori të ndryshme sociologjike apo në paradigmë të periudhës moderne e postmoderne, thelbi në çdo rast është synimi i parandalimit të problemit para se ai të ndodhë, pasi ka më pak kosto sociale dhe është më efektiv sesa ndodhia e një ngjarjeje, gjetja e shkaqeve dhe më tej zgjidhja. Motoja është “kurimi është parandalimi”.
Duke vijuar më tej, ky program synon rritjen e parametrave të sigurisë në vend duke u përqendruar në drejtim të përmbushjes së prioriteteve kryesore, ku një ndër më të rëndësishmet është dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe ndërtimi i besimit. Qëllimi i policisë është të krijojë një mjedis sa më të sigurt për shoqërinë shqiptare, i cili do të sjellë përmirësim në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke e bërë Shqipërinë një vend të dëshirueshëm për të punuar dhe jetuar.
Në studimin “Studimi Social dhe Autoriteti Institucional në Demokracinë Shqiptare”, ndër të tjera shkruhet për opinionin e një prej studiuesve të huaj, Goldsmith, që është marrë me reformën në sektorin e policisë dhe thekson se një ndër vështirësitë që hasen është mungesa e besimit publik në punën e policisë. Autori thekson se sigurimi i besimit në punën e policisë nuk mund të shkëputet nga mjedisi ku ndodh policimi. Ai shprehet se besimi është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me mjetet që përdor policia për ta ndërtuar atë.
Në një raport studimor shkruhet se besimi i ndërsjellë dhe pozitiviteti në bashkëpunim vlerësohen si ndikues në punën parandaluese të institucionit të policisë. Sipas këtij studimi, 52% janë dakord dhe 37% shumë dakord me efektshmërinë e punës së policisë në ndërtimin e besimit qytetar. Ndërkaq, 44% e tyre nuk japin përgjigje lidhur me këtë temë. Këta persona ose deklarojnë se nuk kanë besim te policia, ose besojnë se do ta zgjidhin vetë problemin, duke bërë vetëgjyqësi.
Ky fenomen është shumë i përhapur në vendin tonë dhe është një mendësi e trashëguar nga e shkuara, por që ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ në ndërtimin e raportit të besimit qytetar-polici.
Po të kthehemi pak në të kaluarën, kanunet në vendin tonë, të cilat kanë udhëhequr në vend të ligjeve jetën tonë për shumë kohë, prezumojnë vetëgjyqësi në rastet e konflikteve. Me gjithë përpjekjet e bëra për të hequr sistemin e kanuneve me dhunë dhe për të formuar një legjislacion institucional, rezulton se ai mbetet i rrënjosur në mendësitë e një pjese të popullsisë shqiptare, duke u bërë norma më e fuqishme mbi ligjin. Atë që sistemi komunist tentoi për 46 vjet ta shtypte me forcë, u ringjall sërish në sistemin demokratik në ditët e sotme. Vetëgjyqësia është ngërç madhor në ndërtimin e besimit publik te policia, sepse e pengon këtë të fundit, duke shmangur ndërhyrjen e policisë, prandaj duhet punuar shumë dhe për një kohë të gjatë për të luftuar këtë mendësi në zonat rurale dhe urbane. Për këtë arsye, parimet bazë të policimit në komunitet do të jenë angazhimi, besimi, fleksibiliteti, integriteti, dukshmëria, paanshmëria, legjitimiteti, përkushtimi etj., duke zbatuar parimin bazë të respektimit të të drejtave të njeriut.
Besimi te Policia e Shtetit arrihet kur komuniteti dhe policia respektojnë njëri-tjetrin, kur respektohen të drejtat e njeriut, kur nuk përdoren praktika abuzive, kur nuk përdoren praktika diskriminuese dhe paragjykuese. Në këtë fokus, në Policinë e Shtetit duhet të ketë njerëz të kualifikuar, profesionistë e të trajnuar, duhet të ruhet konfidencialiteti, të ketë afrimitet dhe bashkëpunim pozitiv me shoqërinë, të ulen dozat e korrupsionit deri në eliminimin e tyre. Ashtu si dhe nga ana tjetër, qytetarët duhet të tregohen të gatshëm të bashkëpunojnë me dëshirë, të jenë të informuar dhe të zbusin mentalitetin e vetëgjyqësisë.
Në vazhdim, për ta konkretizuar më tej problemin kam marrë edhe opinione të profesionistëve në këtë fushë rreth kësaj çështjeje. Nga eksperiencat e tyre ndër vite, ata shpreheshin se qytetarët kishin besim te policia dhe se ky besim ishte në rritje të vazhdueshme. Ata e lidhnin këtë fakt me një sërë faktorësh pozitivë, si: veprimi i shpejtë në vendngjarje, rritje e mundësisë së kontaktimit nga ana e qytetarëve, rritje e përgjegjësisë përpara komunitetit, rritja e kontakteve me shkollat, koordinatorët e njësive, shitësit ambulantë etj., prezenca më e shpeshtë dhe më e përhapur e patrullave etj. Gjithashtu, ata bazoheshin në një tregues mjaft të rëndësishëm që dëshmonte në rritjen e besimit, që ishte shtimi i numrit të telefonatave të bëra nga qytetarët drejt organeve të policisë dhe ankesat për punën e saj. Pra, siç shihet, ka vend për përmirësim e rezultate pozitive në vazhdimësi, me shpresë për rritje dhe zgjerim të bashkëpunimit me qytetarët.
Nga ana tjetër, ka edhe disa problematika që pengojnë ngritjen dhe rritjen graduale të raportit të besimit. Kështu, siç u theksua edhe më sipër, së pari është mentaliteti komunist i shoqërisë shqiptare për të quajtur “spiun” atë që raporton në polici, duke prodhuar kështu frikë dhe tension. Qytetarët shqiptarë gjithashtu nuk janë shumë të informuar në lidhje me punën e policisë, veprimtaritë dhe rregulloret, takimet e organizuara dhe kjo është një dobësi nga të dyja palët dhe ka nevojë për vëmendje dhe angazhim.
Në këtë prizëm, mes këtyre dy poleve duhet të krijohen ura lidhëse dhe të iniciohen e të ndiqen veprimtari që të prodhojnë një rreth të vetëm ciklik me në qendër një synim, besim, bashkëpunim dhe mirëqenie.
Vendet e zhvilluara kanë ecur me hapa të ngadaltë, por cilësorë në procesin e civilizimit dhe në arritjen e një balance të kontrollit dhe paqes së brendshme dhe të njëjtën gjë duhet të realizojmë edhe ne.
Të dyja palët duhet të mundohen gjatë dhe në mënyrë serioze për të arritur rezultat. Strukturat policore nga ana e tyre duhet të përpiqen të shfaqin gjithnjë e më shumë një performancë më të lartë, më profesionale e më të kualifikuar. Më së shumti, ata duhet të jenë të orientuar, përveçse në nivel teorik, në një nivel praktik drejt komunitetit, duke synuar praktikën e shërbimit dhe duke promovuar nivel të lartë transparence dhe llogaridhënieje. Në gjithë këtë proces, për çdo hap të kryer i duhet referuar ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke i qëndruar kështu besnik parimit të barazisë për të korrur marrëdhënie dhe afrimitet me qytetarin. Ata gjithashtu duhet të ndjekin një skemë më përfshirëse për të gjitha kategoritë e grupeve të popullsisë, nën asistencën e vazhdueshme të sociologëve, asistentëve socialë, psikologëve, etj.
Në harmoni me këto hapa, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për vlerën e madhe të kësaj veprimtarie e bashkëpunimi e duke pasur më shumë dëshirë për përmirësimin e jetës në komunitet. Ata duhet të informohen më shumë, ta konsiderojnë këtë proces me më shumë përgjegjësi sociale e morale dhe të jenë pjesë aktive e takimeve, anketimeve, organizimeve apo fushatave sensibilizuese të realizuara në kuadër të ndërtimit të besimit qytetar te policia.
Jeta në ditët e sotme nuk është individuale, por përkundrazi. Integriteti, mendimi dhe kujdesja për të mirën e përbashkët janë objektivi i postmodernitetit sepse bota, shtetet, qytetet, lagjet, familjet, njerëzit janë sisteme dhe nënsisteme të ndërlidhura nga një formë varësie-zinxhir me njëra-tjetrën, ku në qoftë se këputet një hallkë, shpërqendrohet i gjithë sistemi. Qëllimi i të bërit të diçkaje duhet të paramendohet si një e mirë e përbashkët dhe kur shoqëria është mirë, po ashtu është edhe individi.
Kështu, kemi nevojë të mendojmë të gjithë nga pak që të forcojmë besimin tek institucioni, e në këtë rast, te Policia e Shtetit, jo të imponuar së jashtmi, por të brendësuar së brendshmi, duke u bindur për vlerën e ardhshme të një qetësie e sigurie të përbashkët, që do të pritet të arrihet vetëm falë një pune më profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: