Nga Genc Burimi

Edhe po të dhjetëfishohet numri i protestuesve, Edi Rama kurrë nuk do të largohej vetë. Asnjë autokrat s’ka bërë largim nga pushteti me vullnetin e tij. As Erdogani, që pati kundër vetes, përveç popullit, edhe ushtrinë plus drejtësinë.

Duhet një “deus ex machina” që të bjerë një regjim antipopullor. Kjo po i vjen në ndihmë Shqipërisë: Amerika. Agamemnoni: “Kush jeton me forcën e shpatës, nga shpata vdes.”

Në pamundësinë që një autokrat të vetëlargohet, dy rrugë mbeten teorikisht dhe praktikisht: dhuna nga brenda, siç është shembulli i revolucionit të Majdanit në Ukrainë më 2014, apo shkulja nga jashtë, siç është shembulli i Maduros. Avantazhi i këtij opsioni është se kursehen trazira të panevojshme dhe jetë të pafajshme njerëzish.

Shqipëria drejt këtij skenari të dytë po ecën, ku në vend të helikopterit, SHBA po çon SPAK-un. Ja konteksti. Donald Trump s’mund të ndihet aspak i kënaqur që, për shkak të një diktatoruci-amator si Edi Rama, e bija Ivanka dhe dhëndri Jared të bëhen meme në mbarë planetin.

Kjo është e tmerrshme edhe për një baba “të thjeshtë”, e aq më shumë kur bëhet fjalë për “babanë” më të fuqishëm në botë, i cili sot gjendet krejt i pafuqishëm të ndalojë lumenjtë e baltës dhe talljeve planetare që po pëson e bija.

A s’ishte vetë Edi Rama që justifikonte mosvajtjen në Davos para disa muajsh sepse, sipas tij, Donald Trump i kishte besuar të bijën ta priste dhe ta shëtiste në Rivierën shqiptare?
Një mision tepër të rëndë mori mbi supe sulltani i vogël i Shqipërisë ndaj “Zotit të botës”. Zemërimi i këtij të fundit sot ndaj Edi Ramës është në shkallën e poshtërimit botëror që po pëson familja Trump për shkak të menaxhimit katastrofik të dosjes Sazan–Zvernec nga sulltanuci i vogël shqiptar.

Si mund të imagjinohet qoftë edhe për një sekondë që Trump është i aftë të ndërhyjë te drejtësia izraelite për një mik si Bibi, apo te drejtësia braziliane për një tjetër mik si Bolsonaro, dhe presidenti amerikan të mos lëvizte gishtin e vogël për të larë poshtërimin që i bëhet familjes së tij?

Vazhdimi është një skenar për filma vizatimorë. SPAK-u, i cili flinte pas 12 marsit dhe nuk denjonte t’i rikthehej Kuvendit për arrestimin e Ballukut, megjithë dosjen kala që kishte, si me magji zgjohet nga gjumi letargjik në valën e protestave në Tiranë.

Po të njëjtën ditë, si me magji, dosja Berisha, që flinte në Uashington edhe pas rikthimit të Trump në janar 2025 në Shtëpinë e Bardhë, ç’bllokohet. Pa pritur e pa kuptuar, Berisha shfajësohet nga të gjitha akuzat e ish-administratës Biden dhe përgatitet për vizitë në SHBA në momentin kur vetë Uashingtoni ka kohë të merret me bllokimin e vizës së njërit prej arbitrave më mediatikë në këtë moment në planet. Berisha edhe më i rëndësishëm se Kupa e Botës për amerikanët!

Etapa e ardhshme: SPAK-u do ta heqë me butësinë që e karakterizon kur merr urdhra, Edi Ramën nga “priza” e pushtetit dhe kolltuku i kryeministrit.

Administrata Trump do t’ia lehtësojë në maksimum detyrën duke e shpallur kryeministrin e Shqipërisë persona non grata, ashtu siç ishte e mundur ligjërisht për ish-administratën Biden të shpallte ish-kryeministrin në fuqi të Bosnjë-Hercegovinës, Fadil Novalić.

Rruga i hapet qeverisë së re të përkohshme shqiptare, socialiste ose teknike, për zgjedhje të reja. Në funksion të kapacitetit të vetëorganizimit të protestës, amerikanët ose do të presin që të hyjë në zgjedhje edhe partia e re e “Bulevardit”, ose do të inkurajojnë mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt, pa pritur kur të bëhet gati “Bulevardi”.
Ideja, sigurisht, do të jetë që forca e re që do të udhëheqë Shqipërinë të jetë katërcipërisht proamerikane.

Kjo garanci ekziston sot me Partinë Demokratike, ka ende pikëpyetje me Partinë Socialiste pas gafave të Ramës me familjen Trump dhe ka shumë pasiguri me “Bulevardin” se çfarë force politike mund të dalë prej tij: proamerikane, proeuropiane apo asnjanëse, sepse termi “properëndimor” s’do të thotë gjë të madhe në këtë moment divorci BE–SHBA.
Konkluzioni: Edi Rama, i cili me fuqinë e Amerikës mbijetoi në pushtet, po nga fuqia e Amerikës do të vdesë politikisht dhe penalisht në derën dalëse të pushtetit.

Nëse ky skenar realizohet, ai po realizohet vetëm falë forcës homerike të Bulevardit që zgjoi nga gjumi edhe Ciklopin përtej Atlantikut. Europës do t’i mbeten vetëm sytë për të qarë sesi, me aq dritëshkurtësi, i dha notën 10 autokratit Rama më 26 maj, duke i votuar “Ibarin”.

Por ky nuk është i vetmi gabim i Europës, e cila ka ende shumë për të mësuar nga Daj Sami…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: