Shqipëria është një anëtare aktive e OSBE dhe këtë kontribut, përveçse nëpërmjet qëndrimeve aktive të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare, e materializuam edhe gjatë Presidences në vitin 2020, kur, një periudheje delikate për paqen dhe sigurinë, iu shtuan edhe vështirësitë e pandemisë.

Përvoja e Presidencës së Organizatës na shërbeu si një aset për suksesin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë viteve 2022-2023, e cila e shndërroi Shqipërinë në një protagoniste të spikatur në çështjet ndërkombëtare dhe diplomacinë shumëpalëshe, në mbrojtje të paqes, sigurisë, të drejtave të njeriut dhe lirisë së kombeve.

OSBE, nëpërmjet Prezencës në Shqipëri, ka qenë dhe mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm, në mbështetje të reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse, drejt konsolidimit të vlerave e institucioneve demokratike, integrimit në Bashkimin Evropian, luftës kundër korrupsionit, trafikimit të qënieve njerëzore dhe rritjes së kontributit për sigurinë e paqen në rajon, kontinent e më gjerë.

Termi “Europa Jug-Lindore” e ka kapërcyer tashmë përmbajtjen gjeografike dhe ka marrë një konotacion të mirëfilltë politik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me termin tjetër, Ballkani Perëndimor. “Rrudhja” e koncepteve gjeografikë dhe “natyralizimi” i tyre në koncepte të mirëfilltë politikë apo gjeopolitikë, nga njera anë është pasojë e shpejtësive të ndryshme të proceseve transformuese politike në atë që para tre dekadash quhej thjesht Europa Lindore. Prandaj ndërgjegjësimi ynë për ndryshimin e këtij realiteti është shumë i rëndësishëm.

Shpejtësitë e ndryshme të proceseve demokratizuese e integruese kanë krijuar dhe mund të vijojnë të krijojnë implikime edhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë, në rajon e më gjerë. Prandaj, sa më shumë të zhvillohen dhe sa më shpejt të integrohen vendet tona, aq më mirë mund të përballohen kërcënimet që vijnë nga jashtë rajonit, por edhe nga inercitë dhe zgjimi i pasojave apo demonëve nacionaliste brenda tij.

Demokratizimi, siguria dhe europianizimi zhvillohen paralelisht dhe mbështesin njeri-tjetrin. OSBE nuk është vetëm një faktor për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë, por edhe një mbështetje e modernizimit dhe perëndimizimit të vendeve të rajonit tonë.

Populli shqiptar është populli më pro euro-atlantik i rajonit dhe ky fakt është një argument më shumë pse Shqipëria është e vendosur të ndjekë vetëm, Planin A për të ardhmen e saj, që është Bashkimi Europian. Në këtë kontekst, ne jemi të vendosur të përballojmë dhe ndalojmë influencat e fuqive joperëndimore në rajon, si një shërbim për paqen, stabilitetin dhe europianizimin e vendeve tona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb