Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit dhe la në fuqi dënimin për dy mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të cilët u cilësuan fajtor për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm” në dëm të Dorjana Hakës, gruas së ish-portierit Alban Hoxha.
Burba u dënua me 1 vit burgim, i cili iu konvertua në dy vite shërbim prove, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut për një periudhe prej dy vitesh. Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burgim, që iu konvertua në shërbim prove prej 1 viti. Mjekja Burba iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, por, kjo e fundit pasi e shqyrtoi çështjen në tërësi vendosi të mos e pranojë atë, për shkak se nuk konstatoi asnjë shkelje. Sipas Gjykatës së Lartë, argumentet e dhëna nga gjykata e apelit janë të drejta dhe rrjedhojë e një analizë të kujdesshme dhe në respekt të ligjit.
Sipas Gjykatës supreme, Apeli ka konstatuar se mjekët kanë kryer mjekim të pakujdesshëm ndaj pacientes Dorjana Haka, për shkak se nuk i kanë kryer testet e nevojshme, përpara se ajo ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë. “Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes së ndjerë Dorjana Haka mund të ishte shmangur, nëse personeli mjekësor, përfshirë dy të pandehurit në këtë proces, do të kishin kryer Testet e koagulimit përpara realizimit të interventit kirurgjikal”, thekson gjykata e Lartë.
“Të pandehurit, Anestezistja Elona Burba dhe Kirurgu Obstetër Petrit Rexhepi, ishin përpara një operacioni të planifikuar, pra ata kishin në dispozicion gjithë kohën e nevojshme që të siguroheshin se pacientes Dorjana Haka iu kryen të gjitha analizat dhe ekzaminimet mjekësore të parashikuara nga protokolli mjekësor në fuqi”, theksohet në vendim. Më tej gjykata supreme argumenton se “moskryerja e Testit të koagulimit tek pacientja e ndjerë Dorjana Haka, përpara ndërhyrjes së interventit Kirurgjikal përbën neglizhencë mjekësore të pajustifikueshme.”.
Më tej në vendim thuhet se ndryshe nga sa pretendohet nga të pandehurit, nuk rezulton të jetë zbatuar protokolli mjekësor për pacienten. “Po ashtu, nuk qëndron pretendimi se ndodhemi përballë komplikacioneve objektivisht të pashmangshme sipas shkencës mjekësore, pasi protokolli mjekësor parashikonte kryerjen e testit të koagulimit, me qëllim shmangin e një komplikacioni të tillë të mundshëm”, theksohet në vendin.
Dorjana Haka solli në jetë fëmijën e saj të parë, një djalë më 4 nëntor 2014. Tri ditë më vonë ajo pësoi komplikacione dhe u trasferua nga njëri spital në tjetrin. Dorjana Haka ndërroi jetë ditën e 16 të shtrimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Denoncimi për mjekim të pakujdesshëm u bë nga babai të ndjerës. Familja e Dorjana Hakës prej vitesh ka qëndruar në dyert e gjykatave me shpresën për të gjetur drejtësi për humbjen e jetës së të afërmve së tyre.
