TIRANE

Bashkia e Tiranës ka hapur një tender prej më shumë se 50 milion eurosh për rindërtimin e pallatave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas dokumenteve të tenderit Rindërtimi i pallateve do të bëhet në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji” të bashkisë Tiranë.

Firma fituese duhet të përgatisë projektin e zbatimit dhe rindërtimin e njësive të banimit, pallate në këtë rast. Procedura e tenderit është e kufizuar, ndërsa ofertat do të hapen më 8 shtator. Pallatet duhet të ndertohen brenda 24 muajve nga dita e lidhjes së kontratës. Pas kalimit të fazës parakualifikuese, në përzgjedhjen e fituesit në fazën e dytë përcaktuese do të jetë oferta më e mirë, më pas do vlerësohet koha e zbatimit të kontratës dhe më pas cilësia e punimeve.

Burimi i financimit janë fondet e buxhetit të shtetit të vëna në dispozicion për rindërtimin. Dëmet në banesa nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit llogartiten në gati 700 milion euro. Rreth 11 mijë e 500 njësi banimi u shkatërruan plotësisht ose u shpallën të pa banueshme. Sipas projektit të rindërtimit për shtëpitë dhe pallatet që duhen rindërtuar në Tiranë përgjegjëse është bashkia e kryeqyetit, ndërsa për pjesën tjetër të vendit tenderat bëhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për shtëpitë individuale bashkia e Tiranës ka tenderuar rreth 18 milion euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb