Përmes një ceremonie të veçantë, Bashkia e Tiranës shpërndau simbolin e qytetit për familjet tiranase, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore mikpritën në shtëpitë e tyre hebrenjtë. Me këtë rast, në mjediset e Muzeut Kombëtar u çel ekspozita me fotografi të familjeve izraelite që u strehuan në shtëpitë tiranase, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me simbolin e qytetit nëntë familjet tiranase, si dhe dy medaljone mirënjohje për shkrimtarët, që kanë shkruar për familjet hebreje.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj tha se shembuj të tillë vlejnë për t’u kujtuar nga historia, në mënyrë që jo vetëm të mos përsërisim gabimet që mund të kenë ndodhur në të kaluarën, por edhe të ndërtojmë institucionin e mirënjohjes.

Ndër të tjera, Veliaj theksoi se sot po jetojmë në një kohë ku ka shumë urrejtje, por bota e civilizuar na ka treguar që nuk janë këto politikat ndërtuese.

“Sot jetojmë në një kohë ku kemi shumë urrejtje dhe sot kemi politika që investohen në politikën e urrejtjes, në dhunë ndaj tjetrit që duket ndryshe, që beson ndryshe, që flet ndryshe, që ka lindur ndryshe, që e ka emrin ndryshe, që i falet një Zoti tjetër. Unë besoj se këto lloj politikash, sigurisht që kapitalizojnë pakënaqësi të ndryshme, por bota e civilizuar na ka treguar se nuk janë politika ndërtuese, ato që bazohen te histeria dhe urrejtja ndaj tjetrit, që mund të jetë ndryshe për një arsye të caktuar”, theksoi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: