Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schäuble me rastin e Festës Kombëtare.

“Me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare, Ditës së Ribashkimit të Gjermanisë, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe emrin tim personal Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta.

Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë është një ngjarje historikë jo vetëm për kombin gjerman, por për të gjithë njerëzimin, si lajmëtar i erës së ndryshimit dhe i valës së re të demokratizimit.

Përgjatë më shumë se tre dekadave, ribashkimi e bëri Gjermaninë më të fuqishme dhe më inspiruese për kombet e tjerë dhe për të gjithë njerëzimin. Në saj të energjive të popullit gjerman, lidershipit vizionar dhe të fortë dhe potencialeve të pashtershme të demokracisë, Gjermania është sot lokomotiva politike, ekonomike dhe morale e Europës dhe shoqëria gjermane një pasqyrë, në të cilën demokracitë e reja dhe kombet që aspirojnë për liri, zhvillim e mirëqenie, shohin të ardhmen e tyre.

Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe Juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e rrugëtimit europian. Vendimi i Këshillit Europian në 25 mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Kancelares Merkel, Bundestagut dhe Tuajës personalisht, të cilën unë e konstatova edhe gjatë takimit tonë në Berlin, në shkurt të vitit të kaluar.

Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë po punojnë me përgjegjësi të lartë për të zbatuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut, të cilat janë për në një udhëhartë e qartë drejt fillimit të negociatave. Kuvendi i Shqipërisë është gjithashtu i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Gjermanisë dhe Tuajën personale që negociatat të çelen gjatë Presidencës Gjermane.

Presidenca Gjermane e Bashkimit Europian po kontribon në rimëkëmbjen ekonomike, sociale e shpirtërore të kombeve të Europës. Jam i bindur se edhe në sajë të kontributit të Gjermanisë, pas pandemisë së Covid-19 do të kemi një Europë më të fortë dhe inovative, më të sigurt dhe me më shumë vlera të përbashkëta, një Europë që e konsideron Ballkanin Perëndimor pjesë të familjes europiane.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb