TIRANE– Deputeti socialist Taulant Balla i është përgjigjur deklaratave të Ben Blushit sa i takon qëndrimit të kryeministrit Rama ndaj presidentit të sapozgjedhur në SHBA. Blushi tha se kreu i Qeverisë e rreshtoi Shqipërinë në krah të kandidates demokrate, Hillary Clinton, por Balla u shpreh se të njëjtin qëndrim do të kishte edhe ai, duke qenë deputet i PS deri pak kohë më parë.

Balla u ndal tek vizita e Hillary Clinton në Tiranë, dhe fjala që ajo mbajti në Kuvendin e Shqipërisë. Sakaq, deputeti socialistu ndal edhe tek akuzat e opozitës dhe qëndrimet e saj lidhur me fushatën zgjedhore dhe SHBA.

“Minimalisht secili duhet të jetë i sinqertë e ju kot qeshni. Ju që qeshni tani jeni më qesharakë se kushdo tjetër. Edhe zotëria që foli më parë do të ishte në të njëjtët zgjedhje. Do të kishim zgjedhur zonjën Clinton për 1001 arsye. Kemi patur mundësinë ta dëgjojmë nga kjo foltore qëndrimin e tyre për shumë çështje që na interesojnë. Por ne shqiptarët nuk votojmë në Amerikë. Kush prej jush mendon se ne shqiptarët influencojmë zgjedhjet në Amerikë bën shumë gabim. Minimalisht duhet të thoje edhe atë që ka ndodhur, kur u bë konventa demokrate, është çuar Paloka, dhe tha e patë, demokratët nuk ftuan Ramën në konventë por ftuan Bashën. Po e ke inat Ramën, se mori Xhaçkën në takimin me Clinton. Në ka një informacion politik sipas ligjeve shqiptare, që ka sponsorizuar një fushatë në Amerikë në PD, pasi kontratat me Podesta-n janë publike. Nuk mund të nisësh kauzën e një partie politike që sapo ka nisur me fjalët e Saliut. Zbatoni të drejtat e autorit, mos përdorni gjuhën dhe fyerjet e një njeriu që tashmë i ka ngelur vetëm uturaku”, tha Balla.

Por pas kësaj replike nuk ka munguar reagimi i deputetit Blushi, i cili tha se është rast i përsëritur në disa seanca radhazi, që deputeti Balla replikon ndaj tij.

Blushi:
Shumë njerëz më thonë ore pse nuk i përgjigjesh këtij Taulantit. Ne paguanim 60 mijë lekë anëtarësie kot, si kuotë. Tani atë 60 mijë lekëshin për sanduiç nuk e paguaj më, por do ja jap Taulantit se më bën mirë, më shton votuesit. Më bën mirë kur flet gjithmonë pas meje. Kuotën e anëtarësisë do të ta jap ty çdo muaj.

Balla: Ke që në 2007 që nuk e ke paguar atë kuotën e anëtarësisë. Duhet të të përjashtonim që në 2007 se nuk e ke paguar kuotën (qesh).

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb