Fluksi rekord i azilkërkuesve që mësyjnë drejt Gjermanisë, të cilët këtë e bëjnë kryesisht përmes Landit të Bavarisë, ka shtyrë këtë njësi federale gjermane të shqyrtojë mundësinë e ashpërsimit të ligjit të azilit. Pasi vitin e kaluar, tri shtete të Ballkanit (Serbia, Bosnja dhe Maqedonia) ishin shpallur si “vende të sigurta” të prejardhjes, ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Hermann po synon që në këtë grup vendesh të fusë edhe tri shtete të tjera.

Fjala është për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Një kategorizim i tillë mundëson që kërkesat e shtetasve nga vendet e përmendura të përpunohen shumë më shpejt dhe që, praktikisht, ata shtetas të mos kenë shanse për të fituar azilin. Madje, edhe nëse ata e dëshmojnë se janë të ndjekur. Në listën e “shteteve të sigurta” Gjermania fut shtetet e BE-së, tri shtetet e përmendura të Ballkanit si dhe Ganën dhe Senegalin. Ndërsa Hermann, kërkesën e tij për zgjerimin e kësaj liste edhe me Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi e ka bazuar me faktin se fluksi i azilkërkuesve nga këto vende është shumë i lartë. Nga ana tjetër, përqindja e njohjes së azilit njerëzve të ardhur nga këto vende është afër zeros, pasi në fokus të kërkesave të tyre për azil janë shkaqet ekonomike. Në shtetet e përmendura nuk ushtrohet përndjekje që do të mund të merrej si bazë për njohjen e azilit.

Mediet gjermane kanë raportuar gjatë javëve të fundit se rreth 60 për qind të kërkesave për azil që janë bërë gjatë dy muajve të fundit të vitit 2014 kanë ardhur nga shtetasit e vendeve të Ballkanit, më së shumti nga Serbia dhe Kosova. Hermann ka kërkuar po ashtu edhe dëbim më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar të vendeve të sigurta. “Këta azilkërkues po i zënë vendet për strehim që neve na nevojiten për njerëzit që janë të përndjekur politikë të vërtetë”, – ka thënë ministri.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: