Numri i incidenteve antisemite në mbarë botën u rrit në mënyrë dramatike vitin e kaluar, sipas një studimi të Universitetit të Tel Avivit, shkruan BBC.

Raporti identifikon SHBA, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Australinë midis vendeve ku ka pasur një rritje të fortë. Kjo është nxitur nga lëvizjet radikale politike të majta dhe të djathta dhe nxitjet e medieve sociale, sipas studiuesve.

Publikimi i raportit përkon me Ditën e Përkujtimit të Izraelit, e cila fillon sot në mbrëmje.

E njohur në Izrael si Yom HaShoah, dita përkujton gjashtë milionë hebrenj të vrarë nga Gjermania naziste në të gjithë Evropën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Raporti mbi antisemitizmin nga Qendra për Studimin e Hebrenjve Bashkëkohor Evropian të Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit të Tel Avivit, bazohet në analizën e dhjetëra studimeve nga e gjithë bota.

Sipas raportit ”ka pasur një rritje të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të incidenteve antisemite në shumicën e vendeve me popullsi të madhe hebreje në vitin 2021″.

Në SHBA, që ka popullsinë më të madhe hebreje jashtë Izraelit, numri i krimeve të urrejtjes kundër hebrenjve të regjistruar si në Nju Jork ashtu edhe në Los Anxheles ishte gati dyfishi i një viti më parë.

Në Francë, numri i incidenteve të regjistruara antisemite u rrit me pothuajse 75% krahasuar me 2020.

Në Kanada, një grup i madh hebre raportoi një rekord 40 vitesh dhunë fizike antisemite në vetëm një muaj, gusht.

Në Britaninë e Madhe , numri i sulmeve fizike të regjistruara kundër hebrenjve u rrit me 78% krahasuar me vitin 2020.

Në Gjermani, incidentet antisemite të regjistruara nga policia u rritën me 29% krahasuar me vitin 2020 dhe me 49% krahasuar me 2019.

Australia gjithashtu pa një rritje të mprehtë të incidenteve të regjistruara antisemite, me 88 vetëm në maj, totali më i lartë mujor i regjistruar ndonjëherë.

Autorët e raportit fajësojnë pjesërisht reagimet ndaj luftimeve të majit 2021 midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës për rritjen e incidenteve antisemite.

Raporti përmend gjithashtu “arritjen e gjerë të rrjeteve sociale për përhapjen e gënjeshtrave, ku media sociale luan një rol jashtëzakonisht alarmues në incidentet antisemite”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb