Komisioni Evropian tha se do të hetojë “Apple”, “Meta” dhe pronarët e “Google”, “Alphabet”, për shkelje të dyshuara të rregullave të Bashkimit Evropian nga “rojtarët”, kompanitë që kontrollojnë dhe ndërmjetësojnë aksesin në tregje të klientëve.

Ky është hetimi i parë i mospërputhshmërisë sipas Aktit të Tregjeve Dixhitale të BE-së (DMA), i cili hyri në fuqi më 7 mars dhe rregullon sjelljen e kompanive që komisioni i vlerëson si “rojtarë” në ekonominë dixhitale.

Një “rojtar” nënkupton një kompani që mban një pozicion të fuqishëm në ekonominë dixhitale të BE-së, duke vepruar si një ndërmjetës midis shumë përdoruesve dhe bizneseve.

Hetimet në “Alphabet” dhe “Apple” kanë të bëjnë me dyshimin për mospërputhje të një dispozite të DMA-së që kërkon që rojtarët të “drejtojnë” klientët drejt ofertave jashtë dyqaneve të tyre të aplikacioneve, pa pagesë.

Gjithashtu BE po shqyrton nëse “Alphabet” u jep përparësi shërbimeve të veta në rezultatet e kërkimit të “Google” dhe nëse “Apple” pajtohet me rregullat e DMA-së që rregullojnë zgjedhjen e përdoruesit në iOS, sistemi operativ për telefonat inteligjentë dhe tabletët.

“Meta” po hetohet për politikën e saj, e cila u kërkon përdoruesve të zgjedhin midis opsionit të pagesës për të përdorur shërbimet e saj, dhe pranimit që të dhënat e tyre personale të ndahen ndërmjet shërbimeve të kompanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb